Te Holanda e kanë pritur rëndë humbjen nga Çekia në një të tetën e finales në Euro 2020. Holanda pësoi 2:0, ndërsa nuk kishte asnjë goditje të saktë gjatë 90 minutave lojë.
Holanda është në seri prej tri humbjeve në fazën nokaut të Evropianëve. Nuk ia ka dalë të bartë formën që kishte në fazën grupore të Euro 2020. Paraqitja e saj të dielën, është cilësuar e zbehtë.
“Golat që i dhuruam, shanset që nuk i shfrytëzuam, të gjitha të kalojnë nëpër kokë. Pas kartonit të kuq kemi hasur në vështirësi për t’i vënë nën presion. Gjërat vetëm u bën më të vështira për ne”, ka thënë kapiteni Georginio Wijnaldum.
“E tërë ndeshja ka shkuar disi vështirë. Nuk kemi mundur të përballemi me mënyrën se si na kanë bërë presion. Nuk kemi mundur të krijojmë hapësira. Kemi bërë disa shanse në pjesën e parë, por jo mjaftueshëm”, ka shtuar Wijnaldum.