Ka pasur shumë ndeshje dramatike në “Euro 2020”. Evropiani i këtij viti ka arritur në fazën gjysmëfinale.
Përballjet e katër skuadrave më të mira do të zhvillohen të martën e të mërkurën. Tradicionalisht faza gjysmëfinale ka ofruar ndeshje të nivelit shumë të lartë, me kthesa të mëdha në rezultat dhe dramatike. Kështu ka ndodhur që prej Evropianit të parë, në vitin 1960, kur faza finale nisi pikërisht me gjysmëfinale.
Sajti zyrtar i UEFA-s ka zgjedhur gjashtë gjysmëfinalet më epike të Kampionateve Evropiane.
Franca – Jugosllavia 4:5 (1960)
Ndeshja e parë në fazën finale të Evropianëve ka vendosur standard shumë të lartë. Kur po afrohej fundi i pjesës së parë, kishte pak shenja për dramën që do të ndodhte. Skuadrat ishin 1:1 para se François Huette të realizonte për “Les Bleus” në minutën e 43-të. Ai më pas shtoi edhe një gol për 4:2.
Dukej se Jugosllavia ishte e mposhtur. Por nuk ndodhi kështu në fushë. Lojtarët e shtetit të dikurshëm federativ shënuan tre gola për pesë minuta, në atë që mbetet ndeshja me më së shumti gola në Evropianë.
Jugosllavia – Gjermania Perëndimore 2:4 (1976)
Kampionia në fuqi, Gjermania Perëndimore, po shkonte drejt humbjes në Beograd, para se Helmut Schoen të bënte një prej zëvendësimeve më inspiruese në histori të futbollit.
Danilo Popivoda dhe Dragan Gjajiq shënuan për rezultatin 2:0 në të mirë të Jugosllavisë, që ende dukej e fortë edhe pasi Heinz Flohe shënoi për të ngushtuar rezultatin.
Por çdo gjë ndryshoi kur Schoen vendosi ta aktivizonte Dieter Muellerin e paangazhuar më parë, njëmbëdhjetë minuta para fundit. Me prekjen e parë debutuesi e dërgoi ndeshjen në vazhdime, ku ai shënoi dy gola të tjerë për kthimin e madh dhe fitoren që mbeti në libra të historisë. Ai po ashtu shënoi në finale, të cilën Gjermania Perëndimore e humbi pas penalltive nga Çekosllovakia.
Franca – Portugalia 3:2 (pas kohës shtesë, 1984)
Pasi nuk ia doli në vitin 1960, Franca arriti në finalen e parë 24 vjet më vonë. Duke dominuar për kohë të gjatë falë mjeshtërisë së Michel Platinit, francezët shënuan golin e parë përmes Jean-François Domergue dhe dukej se po shkonin drejt një fitoreje rutinore ndaj Portugalisë. Por situata ndryshoi kur Rui Jordao shënoi në minutën e 74-t.
I njëjti lojtar më pase dërgoi në avantazh Portugalinë në vazhdime. Platini shërbeu Domerguen për të barazuar dhe shënoi vetë golin e fitores. Ai realizoi një minutë para fundit, për të siguruar skena euforike në “Stade Velodrome”.
Gjermania Perëndimore – Holanda 1:2 (1988)
Goli i shkëlqyer në finale mbahet mend më shumë, por Marco van Basten ishte vendimtar edhe në gjysmëfinale të “Euro 1988”.
Të vendosur për revanshim ndaj rivales më të madhe për humbjen në “Botërorin 1974”, tulipanët u gjendën pranë një disfate tjetër kur Lothar Matthaus shënoi nga penalltia në ndeshjen në Hamburg. Holandezët u përgjigjën njëjtë nëpërmjet Ronald Koemanit. Dhe kur dukej se vazhdimet do të ishin të pashmangshme, Van Basten shënoi golin e fitores për Holandën në minutën e 88-të.
Gjermania – Turqia 3:2 (2008)
Të shndërruar në mjeshtër të golave të vonshëm në Austri dhe Zvicër, turqit shijuan ndjenjën e pranimit të një goli të vonshëm në gjysmëfinalen klasike ndaj Gjermanisë.
Në mungesë të shumë lojtarëve, ekipi i Fatih Terimit kaloi në epërsi përmes Ural Boralit. Por shpejt shifrat i barazoi Bastian Schweinsteiger. Njëmbëdhjetë minuta para fundit, Miroslav Klose i dha avantazhin Gjermanisë.
Turqia, natyrisht, u përgjigj. Semir Shenturk shënoi për 2:2. Por, momenti vendimtar u rezervua për Philipp Lahm që shënoi golin e fitores në minutën e 90-të.
Gjermania – Italia 1:2 (2012)
Gjermania arriti në gjysmëfinale duke fituar të gjitha katër ndeshjet në Poloni dhe Ukrainë. Duhej diçka e veçantë për t’i ndalur gjermanët.
Por Mario Balotelli doli në skenë. Ai shënoi me kokë pas krosimit të Antonio Cassanos, për golin e parë të azurëve në gjysmëfinale të evropianëve. Balotelli e shtoi një gol tjetër në minutën e 36-të.
Gjermania nuk u rikuperua asnjëherë, ndërsa Mesut Oezil konkretizoi penallti në kohën shtesë për rezultatin përfundimtar, 2:1. Gjermania ishte në seri prej 15 fitoreve, por Balotelli i ndryshoi gjërat.