Kryeqyteti i Holandës, Amsterdami, do të jetë nikoqir i katër ndeshjeve të Evropianit 2020 të shtyrë për këtë vit.
I emëruar sipas legjendës së futbollit Johan Cruyff, stadiumi planifikon që ta shfrytëzojë 25% të kapacitetit prej 54 mijë e 900 ulëseve.
Holanda do t’i luajë tri ndeshje të Grupit C në stadiumin “Johan Cruyff Arena”, kundër Ukrainës, Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Amsterdami do të jetë edhe nikoqir i raundit të 16 skuadrave më të mira, me vendin e dytë të Grupit A dhe Grupit B.
Në këtë stadium, Holanda luan kundër Ukrainës më 13 qershor, të dielën, në kuadër të Grupit C, në orën 21:00. Në po të njëjtën orë luan edhe kundër Austrisë më 17 qershor, ditën e enjte. Kundër Maqedonisë së Veriut luan nga ora 18:00 më 21 qershor, ditën e hënë.
Raundi i 16 skuadrave më të mira, i dyti i Grupit A dhe B do të luajnë më 26 qershor në orën 18:00.