Kapiteni i Republikës së Çekisë, Vladimir Darida, është në dyshim për t’u paraqitur të dielën në duelin kundër Holandës në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian.
Skuadra ka thënë se Darida ka marrë një lëndim ende të panjohur gjatë stërvitjes të premten dhe nuk ka marrë pjesë në përgatitjet para duelit që luhet në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest nga ora 18:00.
Zëdhënësi i skuadrës çeke, Petr Sedivy, ka thënë se stafi mjekësor është duke i dhënë ndihmën e nevojshme Daridas, por ende nuk dihet nëse do të mund të rikuperohet në kohë për këtë lojë.
Mospjesëmarrja e Daridas në ndeshje do të ishte goditje për çekët. 30-vjeçari i mesfushës është motori i ekipit dhe është lojtari me më së shumti eksperiencë, me 73 paraqitje për shtetin e tij.
Udhëtimi nga Çekia në Budapest është shtyrë për më vonë gjatë ditës së shtunë për shkak të problemeve teknike me aeroplan.