Euro 2020

Futbolli ofroi festë për Italinë e goditur rëndë nga koronavirusi

Kampionia e Evropës në futboll, Italia, u kthye në shtëpi të hënën në mëngjes nën brohoritjet e italianëve që kaluan pjesë më të madhe të natës duke festuar. Italianët kanë thyer të gjitha masat paraprake ndaj koronavirusit për të festuar fitoren e ekipit të tyre, 3:2 me penallti, kundër Anglisë në finalen e “Euro 2020”.

Kapiteni Giorgio Chiellini dhe përzgjedhësi Roberto Mancini zbritën nga aeroplani duke e mbajtur trofeun, në aeroportin “Leonardo da Vinci” në Romë. Mes brohoritjeve, edhe nga punonjësit e aeroportit, mbrojtësi i krahut të majtë, Leonardo Spinazzola kërceu shkallët me njërën këmbë. Ai u lëndua në çerekfinale dhe i mungoi Italisë në dy ndeshjet e fundit të Kampionatit Evropian. “Grazie Azzurri”, shkruante në një pano të vendosur në pistë. Ishte një ndjenjë falënderimi e shfaqur në të gjithë vendin pasi Italia mori në shtëpi trofeun e saj të parë të madh që nga Kampionati Botëror i vitit 2006.

Më vonë, ekipi u prit zyrtarisht nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella dhe kryeministri Mario Draghi, së bashku me tenistin Matteo Berrettini, i cili u kishte dhënë italianëve një tjetër arsye për krenari të dielën duke arritur në finalen e Wimbledonit. Berrettini humbi nga Novak Gjokoviqi, por ai u bashkua me presidentin Mattarella në stadiumin “Wembley” për të parë ekipin e Mancinit, i cili triumfoi ndaj Anglisë. Për italianët, triumfi në “Euro 2020” është një fillim i ri për ekipin e rinuar dhe gëzim i madh për një shtet që po mundohet t’i kthehet normalitetit pas goditjes së rëndë që e pësoi nga pandemia e koronavirusit.

Boritë e veturave, fishekzjarrët dhe këngët e tifozëve kishin bërë që të dielën mbrëma rrugët e Romës të jenë të stërmbushura me njerëz që kishin dalë për të festuar. Me të lindur dielli të hënën, zhurma u zhduk por jo edhe ndjenja.

“Më duket se kjo fitore është aq e mirë për shpirtin kombëtar pas gjithë asaj vuajtje nga koronavirusi”, tha Daniela Righino, një italian që jeton në Uruguai dhe ishte përsëri në Romë për finalen e Evropianit. “Dje ishte një shpërthim gëzimi. Jam e lumtur”.

Shumë italianë e panë Kampionatin Evropian si një rinisje për një vend që kaloi shumicën e 16 muajve të kaluar në faza të ndryshme të bllokimit. Italia ishte vendi i parë jashtë Azisë që u godit nga pandemia dhe vuajti jashtëzakonisht shumë, veçanërisht në pranverën e vitit 2020 kur spitalet në Italinë Veriore u mbingarkuan me pacientë dhe numri i të vdekurve u rrit.

Italia ka regjistruar më shumë se 127 mijë vdekje nga Covidi, numri më i lartë në Bashkimin Evropian.

“Ka qenë një vit i komplikuar për të gjithë, por veçanërisht për ne që ishim një nga vendet e para të goditura. Ky është një sinjal i një fillimi të ri ”, tha Michela Solfanelli, një banore e Milanos.

Shumica e kufizimeve janë hequr që nga pranvera dhe ato që mbeten u injoruan kryesisht nga masa e tifozëve që vallëzuan në rrugët e kryeqytetit duke brohoritur “ne jemi kampionë të Evropës”.

David Bellomo, një 23-vjeçar nga qyteti jugor i Barit, theksoi se kjo ishte fitorja e dytë e madhe e Italisë këtë vit, pasi banda italiane “Maneskin” triumfoi në “Eurovision” në muajin maj.

“Falë ‘Eurovisionit’ dhe falë futbollit kemi arritur të kthehemi këtë vit. Ne gati sa nuk siguruam tripletën”, tha ai, duke iu referuar tenistit Berrettini.

Krahë për krahë, tifozët i kanë shikuar me nervozizëm penalltitë në dy ekranet e mëdha të vendosura në “Piazza del Popolo”, një shesh me kalldrëm buzë qendrës historike të Romës. Një ulërimë shurdhuese u ngrit në qiell, ndërsa portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma e priti penalltinë e fundit të Anglisë. Në mesin e personave me fanella të kaltra në sheshin e Romës, ishte edhe një familje emigrante nga Senegali, e cila erdhi nga qyteti Zagarolo, një orë jashtë Romës, për të shijuar finalen me turmën.

“Unë nuk jam italian, por mund të ndiej emocionet. Unë e ndiej atë, sikur të isha italian”, tha Falilou Ndao 42-vjeçar. “Ne me të vërtetë e duam këtë vend”.

Djali i tij 13-vjeçar Yankho, një tifoz i Italisë dhe futbollist i ri, ishte i impresionuar nga ekipi.

“Ata treguan guxim. Ata kurrë nuk u dorëzuan, edhe kur ishin në disavantazh”, tha ai. “Është fitore plotësisht e merituar. Ata kanë luajtur shkëlqyeshëm gjatë gjithë turneut. Përpara Itali!”.

Megjithëse nga të gjithë ende kërkohet të mbajnë maska ​​në situata dhe vende të mbushura me njerëz, policia nuk bëri asnjë përpjekje për të ndërhyrë ndërsa turmat e njerëzve këndonin së bashku himnin kombëtar dhe lëshonin fishekzjarrë. Fishekzjarrët plasën sipër, ndërsa tifozët shëtisnin nëpër qytet duke tundur flamujt italianë nga makinat e tyre.

Doktoresha Annamaria Altomare, e pa këtë spektakël me një mik të saj nga një distancë e sigurt. Ata ishin ndër të paktët që mbanin maska.

“Ne duam të shmangim variantin delta në këtë rrëmujë”, tha ajo duke qeshur.