19 perditesime
23:55

Italia kampione e Evropës

Italia është kampione e Euro 2020. Të dielën në finale, Italia fitoi ndaj Anglisë pas ekzekutimit të penalltive. Me penallti, Italia fitoi 3:2. Portieri Gianluigi Donnarumma ndali dy penallti të anglezëve për triumfin e Italisë.

Pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve rezultati ishte 1:1.

Për Italinë është titulli i dytë i Evropës. Të parin e kishte fituar në vitin 1968. Ndërkohë Anglia duhet të pret ende për titullin e parë. Ka pasur shpresë se pritjes së gjatë i erdhi fundi, por përmes penalltive Italia i është gëzuar triumfit.

https://streamwo.com/ExRGLX1

23:54

Bukayo Saka gjuan, pret Donnaruma

23:53

Jorginho gjuan, pret Pickford, 3:2 për Italinë

23:52

Gianluigi Donnarumma ndal goditjen e Jadon Sanchos - 3:2 për Italinë

23:51

Federico Bernardeschi kalon në epërsi 3:2 Italinë. Gjuan në mes të portës

23:50

Marcus Rashford i pasaktë - godet shtyllën. Rezultati mbetet 2:2

23:49

Leonardo Bonucci gjuan për Italinë dhe shënon për 2:2

23:49

Harry Maguire shënon për 2:1 në të mirë të Anglisë - gol shumë i bukur

23:48

Jordan Pickford ndal goditjen e Andrea Belottit - rezultati mbetet 1:1

23:47

Harry Kane barazon në 1:1 - gjuan saktë

23:46

Domenico Berardi kalon në epërsi Italinë në penallti - 1:0

23:40

Penalltitë vendosin finalen

Finalja e Euro 2020 do të vendoset me penallti. Pas barazimit 1:1 pas 90 minutave lojë, gola të tjerë nuk ka pasur në dy vazhdimet nga 15 minuta. Kështu ndeshja do të vendoset me penallti.

Gjatë vazhdimeve Italia e Anglia kanë provuar të shënojnë, por më shumë i kanë kushtuar rëndësi mbrojtjes.

23:19

Nuk ndryshojnë shifrat në vazhdimin e parë

Rezultati 1:1 ka mbetur edhe pas vazhdimit të parë prej 15 minutash në finalen e Evropianit. Italia e Anglia po luajnë në Wembley.

Nëse nuk ka fitues në vazhdimin e dytë, atëherë finalja vendoset me penallti.

22:57

Shkon në vazhdime finalja e Evropianit

Finalja e Euro 2020 nuk është vendosur pas 90 minutave lojë. Ndeshja në kohën e rregullt është mbyllur 1:1, ndërsa tani do të luhen dy vazhdime nga 15 minuta. Anglia kaloi në epërsi që në minutën e dytë përmes Luke Shaw. Ndërkohë Italia kishte më shumë në pjesën e dytë.

Golin e barazimit e gjeti në minutën e 67-të. Leonardo Bonucci shënoi nga afërsia.

22:25

Chiesa pranë golit të barazimit

Chiesa sërish i afrohet golit të shënimit. Pasi dribloi disa mbrojtës anglez në zonë, Chiesa u shmang mirë, por gjuajtja e tij me të djathtën, zhagas, u prit për mrekulli nga portieri i Anglisë, Jordan Pickford, në minutën e 62-të të ndeshjes.

 

21:51

Anglia shkon në pushim me epërsi

Anglia është në epërsi pas pjesës së parë të ndeshjes finale të Euro 2020 ndaj Italisë. Luke Shaw ka shënuar që në minutën e dytë me goditje nga zona. Është goli më i shpejtë në histori të kampionateve evropiane.

Italia rastin më të mirë e kishte në minutën e 35-të kur Chiesa goditi nga distanca. Topi shkoi fare pranë portës. Ndeshja ishte me tempo të lartë, ndërsa italianët kishin katër goditje të pasakta e një në kornizë të portës. Edhe Anglia ka pasur momentet kur ka rrezikuar seriozisht.

Anglia po e kërkon titullin e parë evropian.

21:13

Shaw shënon golin më të shpejtë në finale

Luke Shaw ka shënuar ndaj Italisë në finale të Euro 2020 pas një minute e 50 sekondave lojë. Sipas BBC-së bëhet fjalë për golin më të shpejtë në finale të kampionateve evropiane.

Goli i parë ka shumë rëndësi kur bëhet fjalë për finale të Kampionatit Evropian. Në 15 finalet e kaluara, ekipi që ka shënuar golin e parë, ka ngritur trofeun në 11 raste, njofton UEFA.

Në anën tjetër, Federico Chiesa pati mundësinë ideale për t’i barazuar shifrat.

Veprimi individual i tij në minutën e 35-të përfundoi fare pranë golit.

Futbollisti i Juventusit fitoi duelin me dy futbollistë të Anglisë, Luke Shaw dhe Declan Rice, depërtoi deri afër zonës, gjuajti me të majtën, por topi përfundoi pranë portës.

21:03

Anglia në epërsi të hershme

Luke Shaw ka shënuar që në minutën e dytë të ndeshjes finale të Euro 2020. Ai kaloi në epërsi Anglinë me gol të bukur nga zona. Për Shaëin krosoi Kieran Trippier.

https://bbc.streamwo.com/Pb9Oyop.mp4

20:57

Po zhvillohet ceremonia mbyllëse e "Euro 2020"

Në prag të finales mes Italisë dhe Anglisë është zhvilluar një ceremoni e mbylljes së "Euro 2020". Një trofe i madh u shfaq në fushë, ndërsa më pas kishte një shfaqje të shkurtër dhe mjete piroteknike. Ushtarët u kanë rënë borive të gjata. Ka pasur edhe valltarë.