Italia dhe Anglia do të përballen sot në finalen e madhe të Kampionatit Evropian në “Wembley”, atje ku të dy kombëtaret synojnë trofeun e madh.
Të dy kombëtaret po marrin përkrahje nga shumë shtete të ndryshme të botës, por përkrahja që dje Italia ka marrë është krejtësisht e veçantë.
Bëhet fjalë për Skocinë, rivalen historike të Anglisë dhe një nga shtetet e Britanisë së Madhe, që siç ka ndodhur që nga lashtësia e deri më sot, edhe këtë herë rreshtohet haptazi kundër anglezëve për finalen e Euro 2020.
Në rrjetet sociale ka nisur një mobilizim në masë për t’u dërguar mesazhe mbështetjeje italianëve dhe së fundmi edhe gazetat kryesore skoceze.
“The National” i ka dedikuar faqen e saj të parë imazhit të Roberto Mancinit, në versionin Braveheaert, fytyrën të ngjyrosur në blu dhe të bardhë, ngjyrat e Skocisë. Titulli i vendosur është: “Na shpëto Roberto, je shpresa jonë e fundit”.
Skocezët tash e një kohë të gjatë kërkojnë pavarësinë nga Britania.
