Euro 2020

Faktori “Wembley” i jep Anglisë shpresë para finales së “Euro 2020”

“Ne kemi sjellë buzëqeshje në fytyrën e të gjithëve, por tifozëria sonte ishte e jashtëzakonshme. Mendoj se tifozët ishin fantastikë, na kanë shtyrë para, sidomos në kohën shtesë dhe ne ia dolëm të fitojmë”.

Këto ishin fjalët e Jordan Hendersonit që përmblodhi “faktorin ‘Wembley’”, që ndihmoi lojtarët e Anglisë që më në fund të kalonin pengesën e fundit dhe të arrinin në finale të madhe. Pas pritjes shumë të gjatë.

Hendersoni është lojtar që i di të gjitha për efektin që përkrahja nga tribuna mund të ketë te një ekip. Për shembull, ekipi i tij, Liverpooli, me siguri asnjëherë nuk do t’ia dilte të kthehej pas disavantazhit 3:0 ndaj Barcelonës në gjysmëfinalen e vitit 2019, pa përkrahjen e zjarrtë në Anfield.

Dallimi me Anfieldin është se në atë stadium ekziston një themel i besimit i krijuar nga rezultate të mëdha të arritura ndër vite.

Për Anglinë, siç tha Gareth Southgate para ndeshjes me Danimarkën, Wembley i ri, ku Anglia luajti për herë të parë në vitin 2007, nuk ka një histori të tillë mbresëlënëse.

“Wembley ka histori fantastike natyrisht. Por për ne që jemi mjaftueshëm të vjetër për ta kujtuar, shumë prej këtyre kujtimeve janë prej stadiumit të vjetër”, ka thënë selektori anglez.

Thirrja e Southgate ishte për të krijuar momente ikonike të reja, nën hijen e stadiumit të ri. Është thirrje për një ekip që ka nisur të shkruajë kapitull të ri nën urdhrat e një trajneri të zgjuar, të sigurt dhe që shikon para. Në këtë kuptim, ekipi dhe stadiumi janë në mision për të shkruar histori në këtë turne.

Përkrahja e tifozëve kishte ndikimin e vet në fitoren ndaj Gjermanisë në një të tetën e finales. Njëjtë ishte edhe të mërkurën mbrëma kur 64,547 shikues në Wembley ndihmuan për të siguruar finalen ndaj Italisë. Edhe finalja luhet në arenën në të cilën Anglia ka fituar 13 prej 15 ndeshjeve të fundit.

Një moment i veçantë në fillim të vazhdimeve përmblodhi përkrahjen e madhe nga tribunat. Tifozëve të vjetër të Anglisë mund t’iu falet ndonjë pesimizëm i shfaqur, duke pasur parasysh kujtimet e ekipit të tyre që barazonte 1:1 në gjysmëfinalet e viteve 1990, 1996 dhe 2018. Në të gjitha rastet rezultati në fund nuk ishte në favor të Anglisë.

Pasi ndihmuan Anglinë ta fitojë gjysmëfinalen e fortë me danezët e pandalshëm, tani është koha për ndeshjen e së dielës ndaj Italisë.

“Finalja. Në shtëpi. Po, çfarë ndjenje”, ka thënë Harry Kane, që shënoi golin e fitores.

Siç ka treguar historia, finalja në shtëpi jo gjithnjë jep ndjenja të mira. Franca humbi një finale pesë vjet më parë, Portugalia një tjetër në vitin 2004, kur u mposht nga Greqia.

Vetëm dy herë në të kaluarën një përfaqësuese ka fituar Evropianin në shtëpi. Spanja në vitin 1964 dhe Franca në vitin 1984. Por kjo është Anglia e Southgate. Një Angli e re dhe një histori e re.