6 perditesime
19:55

Danimarka impresive kalon në gjysmëfinale të “Euro 2020”

Rrugëtimi i Danimarkës në Kampionatin Evropian ka vazhduar drejt Londrës.

Danezët që u kthyen në kandidat befasues, pasi turneu i Evropianit nisi me arrestin kardiak të mesfushorit Christian Eriksen në fushë, kanë avancuar në gjysmëfinale të “Euro 2020” të shtunën duke e mposhtur Republikën e Çekisë 2:1.

Pas nderimeve të zakonshme nga UEFA dhe tifozët për rikuperimin e Eriksenit – një fanellë gjigante me numrin 10 ishte e pranishme në fushë dhe një baner “Për Christanin” në tribuna, Danimarka shpejt e nisi kontrollin e lojës kundër çekëve në natën me temperatura të larta në Azerbajxhan.

“E kishim një qëllim para nisjes së turneut dhe ai ishte që të shkojmë në ‘Wembley’. Do të gënjeja nëse do të thosha se jemi në rregull tani që kemi arritur në gjysmëfinale. Duhet të rikuperohemi pasi e kemi një tjetër ndeshje pas katër ditësh”, ka thënë pas ndeshjes Simon Kjaer, kapiteni i Danimarkës.

Jens Stryger Larsen në minutën e pestë të ndeshjes dha një harkim të përkryer për Thomas Delaneyn në pikën e penalltisë. Topi pas gjuajtjes me kokë të Delaneyt përfundoi prapa shpinës së portierit Tomas Vaclik.

“Është fantastike. Ndeshja nuk shkoi ashtu siç kemi shpresuar ne, por qëndruam në këmbë. Nuk do ta mendojmë se si shkoi ndeshja – tani është e harruar dhe jemi para”, u shpreh mesfushori Delaney.

Danimarka e dyfishoi rezultatin pak para fundit të pjesës së parë. Joakim Maehle harkoi me të jashtmen e këmbës së djathtë. Topi kaloi kah Martin Braithwaite dhe përfundoi te Kasper Dolberg që ishte i vetëm dhe mposhti Vaclikun në minutën 42.

Vendi në gjysmëfinale për Danimarkën është më i largëti në një turne madhor qëkur e fitoi titullin e Evropës në vitin 1992. Gjysmëfinalen do ta zhvillojë të mërkurën në “Wembley Stadium”.

“Ne shkruam historinë dhe arritëm në gjysmëfinale”, tha Jens Stryger Larsen, asistuesi i golit të parë. “Kanë kaluar kaq shumë vjet qëkur Danimarka ishte në këtë fazë të garës. E dimë se në Danimarkë po bëhet festë e çmendur”.

Sulmuesi i Republikës së Çekisë, Patrik Schick, e shënoi golin e pestë në fillim të pjesës së dytë, duke u barazuar në listën e golashënuesve më të mirë të turneut me Cristiano Ronaldon. Schickut iu dha shumë hapësirë nga mbrojtësi Jannik Vestergaard dhe me të parën gjuajti drejt portës pas harkimit të Vladimir Coufalit.

Çekët dolën përpara për ta barazuar rezultatin në lojën fizike e që përfundoi me kokat e lidhura të Tomas Soucekut e Jan Borilit pas përplasjeve me futbollistët danez.

Danimarka i humbi dy ndeshjet e para në “Euro 2020”, të parën nga Finlanda kur kolapsoi Erikseni në fushë dhe nga Belgjika më pas. Danezët ishin në prag të eliminimit para se ta mposhtnin Rusinë, Uellsin dhe Çekinë në vazhdim.

Erikseni i cili u shërua me defibrilator në ndeshjen hapëse është duke u shëruar në shtëpi.

Njëra nga katër ndeshjet e fundit të “Euro 2020” u zhvillua në brigjet e Detit Kaspik në Baku në praninë e 16,300 shikuesve, ani pse të lejuar për të hyrë në stadium ishin deri në 31,000 me rregullat e pandemisë së koronavirusit. Dominoi prania e tifozëve danezë në krahasim me një numër dukshëm të vogël të përfaqësueses së Republikës së Çekisë.

Pas vërshëllimës së fundit nga gjyqtari kryesor i ndeshjes, lojtarët danezë u mblodhën për të festuar së bashku para tifozëve që kishin udhëtuar.

Delaney ishte i mbuluar me flamurin e Danimarkës dhe e vendosi një paruke me ngjyrë të kuqe e të bardhë mbi kokën e zëvendësuesit Andreas Cornelius.

Lojtarët çekë ishin të shtrirë në fushë.

“Është dëshpërim i madh. Ne bëmë maksimumin për të shënuar sukses, por filloi të na harxhohej energjia nga fundi i ndeshjes dhe nuk arritëm që ta kthenim rezultatin. Gara përfundoi për ne, për fat të keq”, tha Schick për televizionin publik të Republikës së Çekisë. “Sa u përket golave, ishte mirë për mua. Por ne të gjithë ndiejmë se kemi mundur të bënim më mirë. Kemi mundur t’i mposhtnim danezët”.

19:11

Schick ngushton epërsinë e Danimarkës

Çekia është rikthyer në lojë, duke ngushtuar epërsinë ndaj Danimarkës.

Patrick Schick realizoi në minutën e 49-të pas asistimit të Coufal.

Për Schickun ky ishte goli i pestë në këtë Evropian, duke barazuar liderin Cristiano Ronaldo, i cili veçse është eliminuar nga turneu.

https://streamwo.com/eN3vNoI

18:47

Danimarka shkon në pushim me avantazh prej dy golave

Danimarka e ka mbyllur pjesën e parë në avantazh prej dy golave kundër Çekisë.

Thomas Delaney në minutën e 5-të dhe Kasper Dolberg në të 42-n realizuan për danezët në këtë pjesë-lojë.

18:43

Dolberg dyfishon epërsinë e Danimarkës

Danimarka ka realizuar edhe golin e dytë përballë Çekisë.

Sulmuesi Kasper Dolberg futi topin në rrjetë pas një super krosimi nga ana e Maehle në minutën e 42-të.

https://streamwo.com/vAA7SNw

18:06

Danimarka në avantazh ndaj Çekisë

Thomas Delaney ka kaluar Danimarkën në epërsi, 1:0, pas vetëm pesë minutash lojë ndaj Çekisë në çerekfinale të “Euro 2020”.

Ai realizoi me kokë pas harkimit të Stryger Larsenit nga rivënia këndore.

https://streamwo.com/X5zmkmp

18:00

Nis ndeshja Çeki – Danimarkë

Ka filluar dueli i tretë çerekfinal në Euro 2020 mes Çekisë dhe Danimarkës.

Fituesi i kësaj përballje luan me Anglinë ose Ukrainën në gjysmëfinale.

16:43

Formacionet zyrtare: Çeki – Danimarkë

Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes çerekfinale të Euro 2020 mes Çekisë dhe Danimarkës.

Sulmit çek i prin Patrick Schick, i cili ka realizuar katër gola deri më tani në këtë kampanjë.

Danezët ndërkohë luajnë me tre sulmues përpara, Braithwaite, Dolberg dhe Damsgaard.

Ndeshja fillon në orën 18:00.

Çeki: Vaclik; Coufal, Celustka, Kalas, Boril; Holes, Soucek; Masopust, Barak, Sevcik; Schick

Danimarkë: Schmeichel; Christensen, Kjaer, Vestergaard; Stryger, Hojbjerg, Delaney, Maehle; Braithwaite, Dolberg, Damsgaard