Euro 2020

Hazardi e Martinez mund të largohen nga Belgjika

Humbja e dhimbshme e Belgjikës në çerekfinale nga Italia në “Euro 2020” shënon fundin e gjeneratës së artë të këtij ekipi. Hazardi me shokë u eliminuan nga gara më herët se që është pritur.

Gjenerata e lojtarëve, përfshirë edhe Eden Hazardin, ka qenë një prej grupit të lojtarëve më të mirë në historinë e Belgjikës. Por, për disa ky mund të jetë turneu i fundit. Befasisht, ky ekip nuk ka fituar asnjë medalje dhe nuk ka arritur as në ndonjë finale. Shkoi në çerekfinale tri herë, në Kupë të Botës 2014, Euro 2016 dhe Euro 2020. Ishte gjysmëfinalist në Kupën e Botës, Rusia 2018.

Eden Hazard është 30-vjeçar dhe është në dilemë për të vazhduar me shtetin në Kupën e Botës, apo të fokusohet në rikthimin e formës më të mirë me klub.

Hazardi është ballafaquar me numër të madh lëndimesh në edicionin që lamë pas. Belgjika ishte pa futbollistin e Real Madridit që pësoi dëmtim në muskul në 1/8 e finales kundër Portugalisë.

Edhe mbrojtja duhet të rindërtohet. Vermaelen është 35-vjeçar, Vertonghen është 34-vjeçar kurse Alderweireld 32.

Lojtarë tjerë që pritet të pensionohen shpejtë nga përfaqësuesja belge janë Mertens dhe Witsel, që të dy 34-vjeçarë.

Humbja nga Italia e ka vënë në pikëpyetje pozitën e Roberto Martinezit si selektor. Ai nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes nëse do të tërhiqet dhe kjo jep sinjalin e largimit nga tekniku katalan.