Euro 2020

Sterling thotë se paraqitja e Anglisë ishte madhështore

Shënuesi i golit të parë për Anglinë në fitoren 2:0 ndaj Gjermanisë në 1/8 e finales të “Euro 2020”, Raheem Sterling, e përgëzoi ekipin për paraqitjen madhështore në duelin e luajtur në stadiumin “Wembley”.

Sterling shënoi golin e epërsisë për Anglinë në minutën e 75-të, ndërsa rezultatin përfundimtar të takimit, e vulosi kapiteni Harry Kane në minutën e 86-të.

“Ne e dinim se duhej të bënim një paraqitje madhështore kundër një kundërshtari shumë të mirë, dhe mendoj se pikërisht e bëmë atë. Ne e dinim intensitetin me të cilin mund të luajmë, dhe të pakta janë ato ekipe që mund ta përballojnë. Dy djemtë në mesfushë, Rice dhe Phillips ishin fantastikë në këtë takim që e fituam me meritë”, u shpreh Sterling.