Euro 2020

Eliminimi nga “Euro 2020” mbyll një sezon pa shkëlqim për Ronaldon

Foto: AP
 

Cristiano Ronaldo po ecte ngadalë për të dalë nga fusha kur Romelu Lulaku u afrua për ta përqafuar. Të dy u përqafuan për disa çaste, me Lukakun që i fliste yllit portugez në vesh. Ronaldo me mirësjellje e falënderoi atë, por shpejt u fut në tunel për të shkuar në zhveshtore. Ai nuk ishte me humor për të biseduar. Ndërsa Lukaku kaloi në çerekfinale të Kampionatit Evropian me Belgjikën, Ronaldo po shkonte drejt shtëpisë së tij pas një fundi zhgënjyes të turneut - dhe sezonit të tij.

Nuk kishte titull të mbrojtur në Evropian. Nuk kishte as rekord botëror të shënimit të golave. Dhe, ndoshta nuk do të ketë as çmim për lojtar të vitit. 36-vjeçari Ronaldo pati një sezon të dobët në humbjen 1:0 të Portugalisë ndaj Belgjikës në 1/8 e finales të “Euro 2020”, të dielën mbrëma. Edhe pse ai shënoi më shumë se 40 gola me klubin dhe vendin e tij, numrat e Ronaldos ishin shumë larg për standardet e tij. Ai dështoi të fitojë ligën italiane me Juventusin, ku e ardhmja e tij mbetet e pasigurt me kontratën që përfundon vitin e ardhshëm. Titujt e tij të vetëm në vitin 2021 ishin Kupa dhe Superkupa e Italisë. Ronaldo pati një start fantastik në “Euro 2020”, duke shënuar pesë gola në tri ndeshjet e para për të barazuar rekordin me ish-sulmuesin e Iranit, Ali Daei, si shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 109 gola. Nëse ai vazhdonte të shënonte dhe nëse Portugalia qëndronte në rrugën e duhur për një tjetër titull, ai mund të ishte rikthyer në bisedë për lojtarin e vitit. Por kjo nuk ndodhi. Ronaldo e hodhi shiritin e kapitenit të tij në tokë pas vërshëllimës së fundit kundër Belgjikës dhe ishte një nga të parët që u largua nga fusha. Portugalia kishte disa raste gjatë gjithë ndeshjes në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla, por vetë Ronaldo nuk ishte shumë kërcënues. Ai kishte disa raste nga goditjet e lira në secilën pjesë dhe një gjuajtje nga brenda zonës në fund të ndeshjes.