Martin Braithwaite ka kthyer buzëqeshjen në fytyrë pas paraqitjeve me Danimarkën në Kampionatin Evropian të futbollit.
Sulmuesi asnjëherë nuk ka prekur majat në Barcelonë, në një ekip plot me yje. Ai nuk ia ka dalë të lërë gjurmët e tij në “Camp Nou”.
Braithwaite ishte angazhuar si një “blerje emergjente” dhe ka vendosur të qëndrojë në klub, pasi beson fuqishëm se mund të jetë i suksesshëm për Barcelonën.
Braithwaite ka luajtur gjithsej 1.725 minuta për Barcelonën në edicionin e kaluar dhe ka shënuar shtatë gola. Por, përfundimisht është larg që të bëhet njeriu kryesor në sulmin e skuadrës.
Me gjithë telashet në nivel klubesh, sulmuesi po shijon rol krejtësisht tjetër për vendin e tij. Ai është prej emrave të parë në listën e selektorit Kasper Hjulmand.
Braithwaite ndihet i rëndësishëm në ekipin danez, që të shtunën u bë i pari që siguroi çerekfinalen në “Euro 2020”.
Ai ka shënuar vetëm një gol deri më tani, por po paraqitet mirë. Numri i golave ndoshta ka të bëjë me pozitën e tij në përfaqësuese. Ai luan më shumë në krah se një “nëntëshe” klasike.
Problemi i tij është se ka konkurrencë të jashtëzakonshme për të zënë vend në treshen e sulmit të Barçës. Lojtarët, si Ousmane Dembele, Antoine Griezmann, Ansu Fati, Philippe Coutinho dhe Lionel Messi janë para tij në renditje. Ardhja e Sergio Agueros e bën thuajse të pamundur angazhimin e danezit.
Braithwaite tani duhet të vendosë nëse është i gatshëm të qëndrojë dhe të luftojë për vend në klubin katalonjas apo ta kërkojë fatin diku tjetër. Paraqitjet e mira në “Euro 2020” mund t’i sigurojnë atij lëvizje të duhur.
30-vjeçari ka luajtur më parë për skuadra, si Esbjerg, Toulouse, Middlesbrough, Bordeaux e Leganes. Te Barça është prej vitit të kaluar, kurse për Danimarkën ka dhjetë gola në 54 paraqitje.