Euro 2020

Zvicra “kampione e Evropës” për fluturime

Ndoshta do të ishte më mençur nëse Federata Zvicerane e Futbollit do të kishte mbështetur aplikimin për të qenë një prej vendeve organizatore të Evropianit të këtij viti.

Në fund të prillit të vitit 2014, Federata Zvicerane tërhoqi kandidaturën e saj. Presidenti i atëhershëm i Federatës, Peter Fillieron, tha kështu shtatë vjet më parë: “Ne e kuptuam që vendet që kanë mbajtur kampionate evropiane në dymbëdhjetë vjetët e fundit do të kishin pak mundësi të merreshin në konsideratë për organizimin e ‘Euro 2020’”.

Ne vitin 2008, Zvicra e organizoi Evropianin bashkë me Austrinë.

Askush nuk mendoi në atë kohë se Zvicra do të duhej të luante dy nga ndeshjet e saj në grup në Azerbajxhan dhe një në kryeqytetin e Italisë, Romë, në Evropianin që po zhvillohet aktualisht.

Zvicra zgjodhi Romën si bazë. Por së pari fluturoi nga Zuerichu për në Baku për ta luajtur ndeshjen e parë të grupit kundër Uellsit. Kaloi 3 mijë e 359 kilometra në ajër.

15 orë mbi re

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe pjesa tjetër e lojtarëve të Zvicrës, nga Azerbajxhani për në Romë bënë 3 mijë e 110 kilometra. Pasi luajtën ndaj Italisë, kilometra të njëjtë bënë për t’u kthyer sërish në Baku.

Pas fitores 3:1 në ndeshjen e fundit në grup kundër Turqisë, zviceranët fluturuan sërish për në kampin bazë në Romë. Edhe 3 mijë e 110 kilometra të tjerë. Deri më tani në total lojtarët e Zvicrës kanë bërë 12 mijë e 689 kilometra fluturim.

Me një shpejtësi mesatare fluturimi prej 850 kilometrash në orë, i bie 15 orë mbi re. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, ekipi përfaqësues qëndroi për tri orë në aeroplan të hënën, para fluturimit për në Romë, për shkak të një defekti teknik në avion.

Petkoviq: “Joideale”

Trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviq, tha para fluturimit të fundit se nuk janë ideale udhëtimet.

“Sigurisht që nuk është ideale të udhëtojmë kaq shumë. Ne kemi ndërruar zonat kohore katër herë. Na u desh ta ndryshonim ritmin tonë shpesh. Një kompliment që askush nuk u ankua për këtë”, ka thënë ai.