Euro 2020

Daliq uron lojtarët për paraqitjen e madhe

Foto: AP
 

Seleksionuesi i Kroacisë, Zlatko Daliq, ka falënderuar lojtarët për paraqitjen ndaj Skocisë. Kroacia fitoi 3:1 dhe avancoi në fazën nokaut të Euro 2020.

“Urime djemve të mi për ndeshjen e madhe dhe plasmanin në një të tetën e finales. Kjo ndeshje ishte me rëndësi për mua dhe gjithë të tjerët. E falënderojmë të madhin Zot që na ka dhënë forcë të qëndrojmë të qetë. I falënderoj të gjithë që kanë besuar te ne dhe që na kanë dhënë përkrahje”, ka thënë Daliq për HRT. “Pas rezultatit 1:0 ishim të pasigurt pak dhe kemi luajtur më ngadalë. Por kemi pasur forcë dhe besim për ta kthyer ndeshjen. Ishte vetëm çështje kohe se kur do të shënojmë. Kemi treguar forcë dhe kemi luajtur ndeshje të vërtetë. Nuk mund të them asgjë të keqe për lojtarët. Gjithnjë jam i kënaqur me ta. Ishim ekip, ishim grup dhe kjo është më e rëndësishmja. Për ndeshjen e një të tetës së finales uroj që tifozët kroatë të jenë në tribuna”, ka theksuar Daliq, që ka udhëhequr Kroacinë drejt vendit të dytë në grup.