Euro 2020

Kthimi i Hazardit krijon dilemë te Belgjika

Eden Hazard po ecte drejt zhveshtores pas pjesës së parë, me sa dukej me dhembje në kyçin e këmbës, pas një rënie në zonën e penalltisë. Nervozizmi te tifozët e Belgjikës ishte i natyrshëm.

A u lëndua Hazard? Sërish?

Në fund, nuk kishte nevojë për panik.

Për befasinë e shumicës, ndoshta edhe të vetë Hazardit, lojtari i krahut kompletoi ndeshjen e fituar 2:0 nga Belgjika ndaj Finlandës.

Kjo nuk kishte ndodhur për 577 ditë. Ai së fundi kishte luajtur 90 minuta për Real Madridin ndaj Real Sociedadit më 23 nëntor të vitit 2019. Ishte ndeshje e La Ligas.

“E kam parë Eden Hazardin e dikurshëm sërish”, ka thënë selektori i Belgjikës, Roberto Martinez.

Nuk është hera e parë që Martinez ka hiperbolizuar. Sa ishte trajner i Evertonit, ai e kishte vlerësuar Gareth Barryn një nga më të mirët e Anglisë. Por komenti i tij për Hazardin mund të jetë i kuptueshëm.

Në mes të pjesës së dytë në ndeshjen e së hënës në St. Petersburg, Hazard po futej në hapësira të vogla. Dukej i lumtur që të jetë në kontakt me rivalët dhe po luante me goxha liri.

Një lojtar që ka pasur shumë telashe qëkur iu bashkua Madridit në vitin 2019, më në fund po dukej i lirë.

“Ai po ndihet i fortë, po ndihet mirë, trupi i tij po reagon si duhet”, ka thënë Martinez. “Aspekti tjetër është ta shohim Edenin me atë pasim final, atë goditje që përfundon në rrjetë”.

Pyetja është tani nëse Hazard ka bërë mjaftueshëm për të siguruar vend në përbërjen bazë të Belgjikës për fazën nokaut të “Euro 2020”.

A është Hazard në nivelin e kërkuar për të filluar një ndeshje kundër Francës, Portugalisë apo Gjermanisë? Mund të vijë te një përballje e tillë në 1/8 e finales me Belgjikën që ka fituar Grupin B.

Kjo me gjasë është dilema më e madhe e Martinezit, derisa ai po e përgatit ekipin për ndeshjen e së dielës në Sevilla.

Hazard ishte larg ritmit të kërkuar, në pjesën e parë të ndeshjes kundër Finlandës. Shpërthimi i dikurshëm mungonte. Ai pasonte topin ngadalë në disa raste. Ka shmangur përballjet me mbrojtësit dhe ka bërë pasime më të lehta në brendi.

Në pjesën e dytë Hazard është përmirësuar, por Finlanda ka nisur të lodhet dhe më shumë hapësirë është krijuar. Në nivel të lartë u shfaqën edhe Kevin de Bruyne dhe Romelu Lukaku, që janë lojtarët që mund ta udhëheqin Belgjikën drejt titullit.

De Bruyne udhëhoqi lojën nga mesi fushës, me vrapimet e matura dhe pasimet e vrullshme. Ai bëri krosimin që solli golin e parë, një autogol i portierit Lukas Hradecky pas goditjes me kokë nga Thomas Vermaelen. De Bruyne pasoi për Lukakun që shënoi golin e dytë.

“Kombinim vdekjeprurës”, ka shkruar Lukaku në një postim ku ka shfaqur një fotografi me De Bruynen duke shtrënguar duart.

Sa i takon Hazardit, që ka pritur të luajë vetëm 50 minuta ndaj Finlandës, shumë varet se si trupi i tij do të ndihet pas një paraqitjeje të rrallë prej 90 minuta. A janë gjashtë ditë të mjaftueshme për rikuperim?

Martinez nuk është se vuan për opsione në krahun e majtë, me Yannick Carrascon, Dries Mertensin dhe 19-vjeçarin Jeremy Doku që garojnë për atë pozitë. De Bruyne ka luajtur mesfushor qendror ndaj Finlandes, por mund të shtyhet para në sulm, me Yourin Tielemansin që mund të kthehet të luaj përkrah Axel Witselit në mesfushë. Kjo do të linte një vend të lirë në sulm përkrah Lukakut dhe De Bruynes.

Shumë do të varet nga ajo se me kë përballet Belgjika në 1/8 e finales. Martinez nuk ka lënë të kuptohet ndonjë gjë për atë nëse Hazard do të startojë në ndeshjen në Sevilla.

“Nuk e di ende. Nuk e dimë as me kë do të luajmë dhe ndeshja duhet të përgatitur varësisht prej kundërshtarit”, ka thënë Martinez.

Nëse ekipi përballë nuk është i nivelit më të lartë, atëherë Hazard mund të jetë “bast” që mund të fitohet. Ai ka thënë të dielën se ndoshta asnjëherë nuk do të jetë lojtari i njëjtë pasi ka thyer kyçin e këmbës tri herë.

Hazard mund të kthehet, por pavarësisht asaj që thotë Martinez, nuk bëhet fjalë për Hazardin e vjetër. Jo momentalisht të paktën.