Turqia u paraqit në Kampionatin Evropian me ekipin e të ardhshmes. Por i duhet të pres pak më gjatë për të dëshmuar se sa mundet ky ekip.
Ka pasur shpresë se një prej ekipeve më të reja në Euro 2020 mund të jetë befasi, njëjtë si në vitin 2008 kur Turqia arriti në gjysmëfinale.
Por në vend të kësaj turqit humbën të tri ndeshjet e Grupit A dhe largohen nga turne me goldallim -7.
Pas humbjes 3:1 nga Zvicra të dielën, seleksionuesi Shenol Gunesh ka insistuar se lojtarët e tij ende kanë potencial për të ardhmen.
“Shpresoj se turneu ka shërbyer për përvojën e lojtarëve. Besoj se ky grup lojtarësh do të qëndrojë në dhjetë vjetët e ardhshme në përfaqësuese”, ka thënë Gunesh.
“Ata e dinë se mund të punojnë më shumë për të bërë gjëra të mëdha në të ardhmen”.
Lojtarët që duhet shikuar përfshijnë 23-vjeçari Merih Demiral që luan në qendër të mbrojtjes te Juventusi. Evropiani për të ka kaluar në hije të autogolit të shënuar në ndeshjen ndaj Italisë. Janë aty edhe 25-vjeçari i Leicesterit, Çaglar Soyuncu, dhe 23-vjeçari Cengiz Under, që ka luajtur huazim te Leicesteri nga Roma.
Sulmuesi Burak Yilmaz është 35-vjeçar dhe ka dështuar të shënoi në Evropian. Me gjasë ai nuk do të luaj më për Turqinë në ngjarje të mëdha.
Gunesh ka thënë se orari ka luajtur rol në dështimin e Turqisë. Sipas tij fillimi me ndeshjen më të vështirë, ndaj Italisë në Romë, ka krijuar atmosferë negative, të cilën ekipi nuk ka mundur ta kaloj me kohë për ndeshjen ndaj Uellsit.
Evropiani ka ofruar platformë për 22-vjeçarin e qendrës së mbrojtjes, Mert Muldur. Duke luajtur kryesisht jashtë pozitës së tij, në krahun e majtë, Muldur u paraqit si rezervist ndaj Uellsit, ndërsa mbeti pa shënuar falë intervenimit në momentin e fundit nga Aaron Ramsey.
Mbrojtësi i lindur në Austri, që luan për Sassuolon, startoi ndaj Zvicrës dhe ka bërë disa goditje të mira nga distanca, që janë bllokuar nga Yann Sommer.
Në aspektin defanziv, ai ishte pjesërisht përgjegjësi për golin e tretë të Zvicrës. Ai ishte i ngadalshëm për të ndërhyrë ndaj Xherdan Shaqirit.
Gunesh ka thënë se tri humbjet në Evropian nuk kanë lëkundur besimin e tij. Ai është pyetur nëse do të jap dorëheqje.
“Këta janë ende fëmijët tanë, në dështim e në sukses. Unë ende besoj në ta. E di se në vitet e ardhshëm sërish do të jenë lojtarët më të mirë të Turqisë”, ka thënë Gunesh.