Euro 2020

Mbrojtësi Robin Gosens i jep Gjermanisë shtytje në Evropian

Dukej se anësori i Gjermanisë, Robin Gosens nuk ishte i përgatitur që të shpallej lojtar i ndeshjes gjatë Evropianit të futbollit.

“A duhet ta marr me vete këtë gjë?”, ka pyetur Gosens për trofeun që ndahet për lojtarin e ndeshjes, pasi u veçua për paraqitjen në fitoren 4:2 ndaj kampiones në fuqi, Portugalisë, të shtunën.

Gosens ende po mundohej të kuptonte se çka ka ndodhur pasi ndihmoi Gjermaninë për t’u kthyer në rrugën e duhur në Euro 2020.

“Është gjigante, nuk e di se çka të them”, theksoi Gosens, që shënoi një gol dhe ishte i përfshirë në përgatitjen e dy golave të tjerë, të shtunën. “Nëse shikoni prapa në karrierën time, apo në mënyrën se si jam zhvilluar, mendoj se është thjesht e papërshkrueshme dhe do të mbetet në kujtesën time përgjithmonë. Padyshim se ishte një mbrëmje që nuk do ta harrojë kurrë”.

Ishte vetëm paraqitja e nëntë e tij për Gjermaninë, pasi debutoi vitin e kaluar.

Duket që Gosens erdhi nga askund dhe doli fuqishëm në skenë. Ai nuk ka luajtur për grupmoshat e reja të Gjermanisë, duke kapërcyer rrugën e zakonshme të zhvillimit të kontrolluar të yjeve gjermane.

Ai ndoqi një rrugë të pazakontë dhe shkëlqeu vonë tek Atalanta në Itali. Është lojtari i vetëm në përfaqësuesen e Gjermanisë që nuk ka luajtur kurrë në Bundesligë.

Me nënën gjermane dhe babanë holandez, Gosens është i lindur në qytetin kufitar, Emmerich. Ai ka luajtur për klube lokale të të rinjve dhe më pas për klubet holandeze Vitesse dhe Heracles. Një provë te Borussia Dortmundi nuk i ndezi, ndërsa në vitin 2017 u transferua në Itali.

Atje u rrit shumë, nën drejtimin e trajnerit aktual të Atalantas, Gian Piero Gasperini. Ai ndihmoi që ekipi që ishte kandidat për rënie nga elita të shndërrohej në pjesëmarrës të Ligës së Kampionëve, duke përfunduar tri herë në Top-3 të kampionatit italian.

Gasperini kërkon shumë nga lojtarët e tij në formacionin 3-4-3, ku Gosensi i palodhshëm është shquar si mbrojtës i majtë apo si lojtar që mbulon gjithë krahun e majtë.

Seleksionuesi i Gjermanisë, Joachim Loew po shfrytëzon formacion të njëjtë në Euro 2020. Gosensi nisi ndeshjet ndaj Francës dhe Portugalisë në krahun e majtë, ndërsa pritet ta mbulojë atë krah edhe në ndeshjen e fundit në grup, ndaj Hungarisë të mërkurën.

“Ekipi dhe trajnerët e vlerësojnë shumë atë, pasi është shumë i hapur dhe shumë aktiv në komunikim”, ka thënë Loew. “Ai ka raport shumë të mirë me të gjithë lojtarët. Është disi i qartë në kokën e tij, shumë i çiltër. Ai është ashtu si luan, i ka gjërat e qarta, mban çdo gjë në balancë. Ai luan me përkushtim të madh dhe lufton për gjërat që janë të rëndësishme për të”.

Loewi e pa Gosensin se si po shënonte gola për Atalantan dhe ka thënë se e ka mbikëqyrur lojtarin për dy vjet. Gosens debutoi për Gjermaninë më 3 shtator të vitit të kaluar në barazimin 1:1 me Spanjën.

Ai shënoi golin e parë për Gjermaninë në fitoren 7:1 ndaj Letonisë, në miqësoren para Evropianit, më 7 qershor.

“Ai u pranua shumë shpejt dhe ka mbështetje të mirë nga ekipi”, ka treguar Loew.

Gosens startoi fuqishëm ndaj Portugalisë, duke konkretizuar me volej krosimin e Joshua Kimmich. Por goli nuk u pranua, pasi Serge Gnabry ishte në ofsajd dhe dukej se ka ndërhyrë në lojë.

Ai “shtyu” Ruben Diasin të shënoi autogol, asistoi për Kai Havertzin dhe shënoi golin e katërt.

“Ishte thjesht një ëndërr e realizuar. Mendoj se nëse e ke mundësinë të garosh në Kampionat Evropian për vendin tuaj, është gjë e rëndësishme. Dhe nëse ke rastin të kontribuosh për ekipin në një ndeshje kaq të rëndësishme, atëherë është gjë edhe më e madhe. Dhe po, është magjike”, ka thënë Gosens.

Në fund ai u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Dhe mund të mos jetë hera e vetme.