Belgjika është kualifikuar tashmë në fazën nokaut të Kampionatit Evropian, kështu që përfaqësuesja e parë në renditjen botërore do të jetë më e qetë në ndeshjen e fundit të grupit kundër Finlandës.
Apo jo?
Jo kaq shpejt.
Finlandezët shpresojnë të kenë një ndeshje më të lehtë që do t’u mundësonte vendin në 1/8 e finales, pavarësisht se përballë do ta kenë skuadrën nga kampi i së cilës kanë dalë disa lajme në ditët e fundit.
Paramendojeni reagimin e përzgjedhësit të Finlandës, Markku Kanerva dhe lojtarëve të tij, kur kanë dëgjuar se Belgjika po planifikon të startojë me tre nga top-lojtarët, Kevin De Bruyne, Eden Hazard dhe Axel Witsel, për ndeshjen që do të zhvillohet të hënën në St. Petersburg nga ora 21:00.
Zgjedhja e parë e sulmit, Romelu Lukaku, mund ta ruajë vendin në ekip në mënyrë që të jetë në hap për t’u bërë golashënuesi më i mirë i turneut.
Treshja me eksperiencë, Jan Vertonghen, Thomas Vermaelen dhe Toby Alderweireld, pritet ta përbëjnë mbrojtjen e fortë.
Pra, Belgjika nuk do të jetë e lehtë për t’u mposhtur.
“Jemi këtu për t’u paraqitur sa më mirë që mundemi”, tha përzgjedhësi Roberto Martinez, “dhe kjo do të thotë se do të provojmë ta fitojmë çdo ndeshje”.
Përderisa do të jetë vendim i vonshëm për Lukakun, i cili varet nga ajo se si do të rikuperohet pasi luajti në gjithë ndeshjen në fitoren 2:1 kundër Danimarkës të martën, Martinez bëri të ditur se ndeshja kundër Finlandës do të jetë e rëndësishme për ta përcjellë formën fizike të De Bruynes, Hazardit dhe Witselit, të cilët së fundmi patën probleme fizike.
Të tretë ishin zëvendësues në pjesën e dytë kundër Danimarkës dhe De Bruyne, në veçanti, nuk tregoi probleme pas operimit që e pati në fytyrë muajin e kaluar, pas lëndimit që e mori në finale të Ligës së Kampionëve.
Një gol dhe një asistim nga mesfushori i Manchester Cityt ia siguruan fitoren dhe kualifikimin Belgjikës në 1/8 e finales.
“Trajneri, para Danimarkës, më tha se dëshiron që unë të jem në bankën rezervë, të hyj në lojë dhe më pas ta fitoj ritmin e të jem titullar kundër Finlandës”, tha De Bruyne të shtunën. “Në këtë moment kjo është ideale për mua”.
Nuk është ideale aspak për Finlandën.
“E marrim këtë si kompliment”, tha Kanerva të dielën në lidhje me perspektivën e një ekipi të fortë si Belgjika.
Barazimi do të duhej të ishte i mjaftueshëm për Finlandën për të avancuar, potencialisht nga vendi i dytë në Grupin B, pasi mori tri pikë nga ndeshja e parë kundër Danimarkës, që përfundoi 1:0.
Humbja me të njëjtat shifra kundër Rusisë të mërkurën e la kualifikimin të hapur, por është një pozitë ku finlandezët përfundimisht do të kërkonin të përfitonin në paraqitjen e parë në një ngjarje të madhe.
“Është mundësi që vjen një herë në jetë për të treguar se sa të mirë jemi”, tha mbrojtësi i Finlandës, Jere Uronen, për atë që Kanerva e vlerësoi si “ndeshjen më të madhe në historinë e futbollit finlandez”.
“Ëndrra jonë është që të vazhdojmë në këtë garë”, shtoi Uronen, “dhe kur arrin çfarë ëndërron, nuk do të thotë se nuk mund të vazhdosh të ëndërrosh. Vetëm fakti që jemi këtu dhe po luajmë këtu, për mua dhe shumë të tjerë është koha më e mirë e karrierës tonë profesionale dhe nuk dëshirojmë që ta përfundojmë”.
Finlanda dhe Rusia kanë nga tri pikë. Dhe të dyja mund të kalohen nga danezët nëse e mposhtin Rusinë dhe Finlanda humb nga Belgjika.
Teemu Pukki, lojtari më i mirë i Finlandës, pritet të jetë i gatshëm pasi u zëvendësua në minutën e 76-të kundër Danimarkës dhe në minutën e 75-të kundër Rusisë.
Pukki hyri në garë menjëherë pas rikthimit nga lëndimi në nyjën e këmbës.