Euro 2020

Pandev pensionohet pas ndeshjes me Holandën

Kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev ka thënë se ndeshja e fundit e përfaqësueses në Grupin C të Euro 2020, do të jetë e fundit për të në ekipin nacional.

37-vjeçari ka luajtur 121 ndeshje për Maqedoninë e Veriut, në një karrierë që është zhvilluar përgjatë dy dekadave.

“Mendoj se është momenti i duhur për t’i thënë lamtumirë përfaqësueses”, ka thënë Pandev të dielën.

Nuk është hera e parë që Pandev thotë se po e luan ndeshjen e fundit për Maqedoninë e Veriut. Igor Angelovski mori drejtimin e përfaqësueses në vitin 2015 dhe prej vendimeve të mëdha të tij ishte që e ktheu Pandevin nga “pensionimi” me përfaqësuese.

Pandevi ka shënuar golin që i siguroi Maqedonisë V. kualifikimin në Euro 2020. Me golin ndaj Austrisë në Euro 2020, Pandev është bërë lojtari i dytë më i vjetër që ka shënuar në Kampionate Evropiane.

Maqedonia e Veriut takohet me Holandën, të dielën nga ora 18:00.