Euro 2020

Hazard pranon se do të jetë vështirë të luajë ndeshje të plotë

Kapiteni i Belgjikës, Eden Hazard thotë se do të luftojë për të luajtur tërë ndeshjen ndaj Finlandës në Euro 2020, pas edicionit plot lëndime.

Ai po ashtu thotë se kyçi i këmbës së djathtë të tij mund të mos jetë më kurrë i njëjtë.

Hazard ka bërë dy paraqitje si zëvendësues në Euro 2020 dhe i është thënë nga seleksionuesi Roberto Martinez se do të startojë ndaj Finlandës për të parë se si do të jetë gjendja e tij fizike para fazës nokaut.

Mesfushori i Real Madridit ka thënë se “do të jap më të mirën për të qenë në fushë sa më shumë që të jetë e mundur, duke luajtur në nivel të lartë. Mund të jetë 50 minuta”.

Hazard ka thyer kyçin e këmbës së djathtë tri herë dhe i është futur një pllakë metalike gjatë një operacioni në mars të vitit 2020.

“Nuk e di nëse kyçi im do të jetë më i njëjtë. Përfundimisht nuk do të jetë si ishte dhjetë vjet më parë, por kështu e ka jeta”, ka theksuar Hazard.