Euro 2020

Formati i “Euro 2020” shkakton paqartësi në kualifikimin e Anglisë

Barazimi i Anglisë me Skocinë tregoi se sa i paqartë mund të jetë formati i Kampionatit Evropian për ekipet e madje edhe për organizatorët.

Faqja zyrtare e UEFA-s njoftoi të premten para ndeshjes se barazimi do t’i siguronte Anglisë vendin në 1/8 e finales një ndeshje para përfundimit të fazës së grupeve.

Edhe pse Anglia e mori atë pikë pasi barazoi 0:0 me Skocinë, kualifikimi nuk duket i garantuar.

Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, nuk e festoi kualifikimin, ndërsa analistët e ekipit mbetën duke mbledhur të dhëna.

Të shtunën në mëngjes, UEFA kishte vendosur që Anglia nuk e kishte ende të sigurt kualifikimin në mesin e katër skuadrave nga vendi i tretë, nga gjashtë grupe sa janë gjithsej.

Kështu siç qëndrojnë punët, Anglia është në vendin e dytë në Grupin D, prapa Çekisë që ka goldallim më të mirë.

Të dyja skuadrat do të luajnë me njëra-tjetrën të martën në “Wembley Stadium”. Skocia dhe Kroacia kanë nga një pikë dhe do të takohen në Glasgow në të njëjtën kohë, nga ora 21:00.

Katër pikë ishin të mjaftueshme për vendin e tretë për të avancuar në “Euro 2016” kur gara u rrit nga 16 skuadra në 24. Edhe tre pikë madje ishin të mjaftueshme për të kaluar në fazën nokaut për Irlandën Veriore dhe Portugalinë që në fund doli kampion. Por nuk ishin të mjaftueshme për Shqipërinë dhe Turqinë.

Ekipet me pikë të njëjta ndahen fillimisht nga ndeshjet e ndërsjella dhe më pas nga goldallimi, të përcjella nga golat e shënuar.

Ekipet duhet të presin për të parë se a do t’ia dalin. Shqipëria u desh të presë tri ditë në vitin 2016, para se të eliminohej përfundimisht.

Anglezët kanë më pak shanse për ta përjetuar atë fat dhe fitorja kundër Republikës së Çekisë do t’ua siguronte vendin e parë në grup, pa kalkulime.

Ndeshja e 1/8 së finales në “Wembley” do të luhej kundër vendit të dytë të Grupit F, në të cilën mund të jenë Franca, Gjermania apo Portugalia.

Përfundimi i grupit në vendin e dytë mund të jetë më i pëlqyer për Anglinë pasi për kundërshtar do ta kishte vendin e dytë të Grupit E, që aktualisht mbahet nga Sllovakia. Por, ndeshja do të luhej në Kopenhagë dhe jo në vendin e vet, në Angli.

Nëse vendi i tretë i Grupit D do të avancojë tutje, për kundërshtar do të ishte një fitues i një grupi.