Euro 2020

Depay po lë gjurmë, por prej tij pritet shumë më tepër

Descriptive Text

Me trajnerin e Barcelonës, Ronald Koeman duke shikuar nga tribunat, Memphis Depay ofroi një paraqitje të dukshme në fitoren 2:0 të Holandës ndaj Austrisë, të enjten mbrëma në “Euro 2020”.

Sulmuesi, të cilit në fund të muajit i mbaron kontrata me Lyonin dhe që pritet të firmosë me Barcelonën, ka shënuar një penallti dhe ka ndihmuar në përgatitjen e golit të dytë. Ai po ashtu ka lëshuar një shans të mirë dhe ka krijuar probleme për skuadrën e tij, duke humbur topin në përpjekje për t’i kaluar mbrojtësit.

Memphisi pranon se stili i tij i lojës është me rrezik të lartë. Ai e di se disa nga driblimet, loja me taka dhe pasimet ambicioze jo gjithnjë ndezin. Por trajnerët holandezë dhe shokët e skuadrës janë të lumtur që mund të marrin më të mirën e Depayt, duke pranuar edhe të keqen, duke ditur se ai me të vendos një ndeshje me kreativitetin që ka.

Trajneri i Holandës, Frank de Boer, ka vlerësuar se Depay nuk ka shfaqur ende më të mirën në “Euro 2020”. Holanda ka fituar 3:2 ndaj Ukrainës dhe të enjten edhe ndaj Austrisë, 2:0.

“Le të supozojmë që Memphisi vetëm mund të përmirësohet. Ai në ndeshjet e ardhshme – kur vërtet ka rëndësi – do të jetë shumë i rëndësishëm”, ka thënë De Boer, që ka përmendur penalltinë e konkretizuar nga Depay dhe pasimin për Donyell Malen, që përfundoi me gol nga ana e Denzel Dumfries.

“Natyrisht ai e di se mund të paraqitet më mirë”, ka thënë De Boer. “Por le të rritet gjatë turneut dhe le ta lërë më të mirën për një të tetën e finales dhe shpresojmë edhe për raundet e tjera”.

Herën e fundit kur Holanda luajti në ngjarje të madhe, në Botërorin 2014 në Brazil, Depay ishte një talent i madh 20-vjeçar, kryesisht duke luajtur në krah, pas dyshes sulmuese, Robin van Persie – Arjen Robben.

Edhe ashtu ai shënoi dy gola në Brazil dhe u transferua nga PSV Eindhoveni te Manchester Unitedi një vit më vonë. Ai megjithatë dështoi të impresiononte në “Old Trafford” dhe u transferua në Lyon në vitin 2017.

Në Francë, larg presionit të Premier Leagues, ai u zhvillua në lider dhe sapo ka kompletuar edicionin më të mirë me 20 gola. Ai po ashtu është shndërruar në lider të Holandës, duke marrë topin sa herë që ka ndonjë ndërprerje prej ku mund të rrezikohet porta rivale.

Me penalltinë e konkretizuar, ai shënoi golin e 27-të në 66 ndeshje me Holandën. Gjashtë golat e këtij viti kanë barazuar vitin e tij më të mirë me fanellën e portokalltë të Holandës.

Ka shumë që mendojnë se Depay nuk ka përmbushur pritjet ende në këtë Evropian. Por, bashkëlojtari i tij, Dumfries, është i bindur se koha e Depayt do të vijë.

“Mendoj se ai ka shfaqur cilësinë në të gjitha ndeshjet tona”, ka thënë Dumfries, një mbrojtës i krahut që ka shënuar nga një gol në dy ndeshjet e deritashme. “Kam besim të plotë te Memphisi. Ai është lojtar fantastik. Nuk jam i brengosur për asgjë”.