Euro 2020

“Mesfushori i kompletuar” – Locatelli po bën gjithçka për Italinë

Adhuruesit e futbollit italian ishin njoftuar me 18-vjeçarin Manuel Locatelli, kur ai me një gjuajtje të përkryer mposhti Gianlugi Buffonin për t’ia dhënë Milanit fitoren 1:0 kundër rivalit, Juventusit, pesë vjet më parë.

Ishte vetëm gjuajtja e tij e dytë në kornizën e portës në karrierën në Serie A, teksa kishte shënuar në tentimin e parë vetëm disa javë më herët në fitoren 4:3 kundër Sassuolos.

Shpërthimi në tetor të vitit 2016 rriti shumë pritjet nga Locatelli, që pati ngecje edhe për shkak të presionit. Ai vlerësohej lojtari me të ardhmen më të ndritur në Itali.

Por, nuk ka më ngecje për 23-vjeçarin.

Mesfushori shumë i talentuar shënoi dy herë në fitoren 3:0 kundër Zvicrës, të mërkurën, që e bëri Italinë përfaqësuesen e parë që e siguroi vendin në raundin nokaut të Kampionatit Evropian –- një xhiro pa përfunduar faza e grupeve.

Goli i tij i parë ishte shembull ideal i futbollit modern. Pasimi i Locatellit nga gjysma e fushës e dërgoi bashkëlojtarin te Sassuolo, Domenico Berardin, drejt sulmit nga ana e djathtë. Më pas Locatelli vrapoi për ta marrë pasimin nga Berardi dhe realizoi nga afërsia me këmbën e djathtë.

“E dija se Domenico ishte në krah dhe e bëra pasimin e përkryer me këmbën e majtë”, tha Locatelli pasi e mori çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes. “Pasimi nga gjysma e fushës më lejoi të shkoja drejt zonës dhe isha me fat që Domenico më dha top të mirë dhe isha në gjendje të shënoja. Ishte me të vërtetë e bukur”.

Goli i dytë ishte një gjuajtje e fuqishme nga distanca, e cila e la portierin e Zvicrës të palëvizshëm.

“Goli i parë ishte thesar, aksioni që nisi me teknikë të kualitetit të lartë u mbyll me përfundim të përkryer. Goli i dytë e tregoi një prej pjesëve më të mira të repertuarit të tij – gjuajtjen”, vlerësoi trajneri veteran Claudio Ranieri, në shkrimin e publikuar në “Gazzetta dello Sport”, të enjten.

Lojtari i fundit i Italisë që kishte shënuar dy gola në një ndeshje në kampionat evropian ishte Mario Balotelli, kundër Gjermanisë në gjysmëfinale të vitit 2012.

“Manuel është mesfushor i përkryer dhe e ka fituar karakterin gjatë këtyre viteve”, tha Ranieri.

Locatelli ka treguar se një prej arsyeve pse Milani e la atë të shkojë te Sassuolo në vitin 2018 ka qenë se nuk ishte i gatshëm të paraqitej vazhdimisht në nivel të lartë në një klub të madh.

Tani ai është. Dhe kjo është një prej arsyeve pse trajneri i rikthyer te Juventusi, Massimiliano Allegri, dëshiron që “bianconerët” t’i shpenzojnë 25 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e tij.

Çmimi mund t’i rritet, por spekulimet për transferime nuk e shpërqendrojnë Locatellin.

“Kur luan në një ngjarje të madhe si kjo, fokusohesh të jesh ekskluzivisht në të”, tha ai. “Kjo është një garë që ëndërrohet nga çdo fëmijë për t’u luajtur. Është më lehtë të qëndrosh i fokusuar në këtë garë”.

Locatelli e fitoi vendin e titullarit për Italinë në dy ndeshjet e para të Evropianit për shkak të lëndimit të Marco Verrattit, i cili pritet të kthehet në ndeshjen tjetër të fazës së grupeve kundër Uellsit.

Pasi mposhtën Turqinë 3:0 në ndeshjen hapëse, “Azurëve” u duhet vetëm një barazim kundër Uellsit për ta fituar Grupin A, por natyrisht se nuk do të shkojnë vetëm për një pikë.

Italia i ka fituar 10 ndeshje rresht, duke shënuar 30 gola për afro 1000 minuta lojë.

Përzgjedhësi Roberto Mancini ka bërë mrekullinë tek ekipi që dështoi të kualifikohej për Kupën e Botës 2018.

“Ne gjithmonë dëshirojmë të sulmojmë me shumë lojtarë dhe shpeshherë me mesfushorë, që ndonjëherë mund të sjellë rrezik”, tha Mancini.

“Azurët” tani janë në seri të 29 ndeshjeve pa humbje. Në dhjetë ndeshjet e fundit nuk kanë pranuar gol.

“Italia tregoi edhe një herë atë që e pamë ndaj Turqisë: driblime, presing, vrapim, vazhdimësi. Është përfaqësuese që luan si skuadër dhe kjo është puna të cilën e bën Roberto Mancini”, tha Ranieri. “Duket si një orkestër e përkryer deri tani”.