Euro 2020

Turqia e vendosur për fitore ndaj Uellsit dhe për të kënaqur shikuesit në stadium

Turqia pret përkrahje të madhe dhe të zëshme nga tifozët në tribunat e stadiumit në Baku. Dhe pikërisht për këtë mund të ketë nevojë.

Pas humbjes 3:0 nga Italia, pa bërë goditje në drejtim të portës, Turqia do të takohet me Uellsin, të mërkurën (18:00) në Baku, në ndeshjen e Grupit A. Uellsi do të mundohet të ndërtojë mbi barazimin që e kishte në ndeshjen e parë.

Azerbajxhani është aleat i Turqisë dhe dy vendet kanë raporte të ngushta. Kështu që një numër i madh i turqve pritet të jetë në stadium e po ashtu tifozë azerbajxhanas, që do të anojnë për Turqinë. Uellsi ndeshjen e parë e luajti në atmosferë të qetë, thuajse pa tifozë. U përball me Zvicrën. Por tani e pret një atmosferë e zhurmshme në Baku.

“Njerëzit në Baku po bëjnë që të kemi ndjenjën se po luajmë në shtëpi. Kështu që unë dua të falënderoj vëllezërit azerbajxhanas për këtë”, ka theksuar trajneri i Turqisë, Shenol Gunesh.

Te Uellsi janë të vetëdijshëm që tifozët do të jenë në anën e kundërshtarit.

“Kur luan në turne si ky, ke dëshirë të luash para tifozëve dhe do të jetë këndshëm që të kemi atë atmosferë”, ka thënë kapiteni i Uellsit, Gareth Bale.

“Mendoj se atmosfera është nxitëse. Tifozët me gjasë nuk do të thonë gjëra të mira për ne dhe nuk do të na mbështesin, por mendoj se duam t’i heshtim. Të jep një shtytje për motivim”.

Turqia ka arritur në turne me shpresa të mëdha dhe me një grup të fortë lojtarësh pas një edicioni të suksesshëm në nivel klubesh.

Burak Yilmaz dhe Zeki Çelik kanë fituar titullin e Francës me Lillen, ndërsa Hakan Calhanoglu ka pasur një edicion të mirë me Milanin, njëjtë si Çaglar Soyuncu me Leiceterin.

Ai optimizëm u zbeh shpejt ndaj Italisë. Yilmaz nuk ka gjetur hapësirë në mbrojtjen e Italisë. Turqia u mbajt deri në minutën e 53-të, por më pas pranoi tre gola. Turqit kishin vetëm një goditje të pasaktë dhe dy goditje të bllokuara.

Turqia mund të përdorë historinë e saj për inspirim. Ka humbur ndeshjen e parë në të gjitha pesë paraqitjet në Evropianë, por në vitin 2008 megjithatë arriti deri në gjysmëfinale. Gunesh ka nxjerrë paralele me Portugalinë e vitit 2016, që mezi u kualifikua nga grupi, por e fitoi turneun.

Uellsi është prej vendeve të vogla që merr pjesë në Evropian dhe e pranon rolin e autsajderit. Por ka arritur deri në gjysmëfinale të “Euro 2016”.

“Mendoj se jemi ekip dhe vend që duhet të qëndrojmë të bashkuar, përndryshe ka vende më të mëdha, me më shumë para, më shumë njerëz, më shumë lojtarë, që do të na sfidojnë”, ka thënë mesfushori i Uellsit, Joe Morrell. “Kemi një grup lojtarësh, që njëjtë si në vitin 2016 janë vërtet të bashkuar. Dhe kjo ndihmon shumë”.

“Euro 2020”, Grupi A: Turqia – Uellsi, e mërkurë 18:00