Euro 2020

Kapitenja e Kosovës: Gjermania nuk meritoi më tepër kundër Francës

Descriptive Text

Mesfushorja e klubit të Bundesligës gjermane SC Freiburg, Erëleta Mehmeti, vlerëson se Franca me plotë meritë e ka fituar ndeshjen kundër Gjermanisë sot. Franca e mposhti Gjermaninë në ndeshjen e Grupit F të Euro 2020.

Franca triumfoi 1:0 me një autogol të shënuar nga Mats Hummels në minutën e 20-të.

“Nga ato që kemi parë, Gjermania nuk meritoi më shumë. Mendoj se Gjermania kishte mungesë në mesfushë, ka bërë disa krosime, por në mesfushë nuk ka pasur lojtarë. Franca e ka shënuar golin e është relaksuar. E nga fundi i ndeshjes e ka pasur idenë të luajë me topa të gjatë të drejtuar nga Mbappe që është lojtar shumë i shpejtë, e të shënojë golin e dytë. Franca e ka merituar më tepër fitoren”, ka thënë Mehmeti për KTV. 

Ajo ka shtuar se një nga përfaqësueset në Grupin F do të arrijë deri në finale të Evropianit.

“Grupi i Gjermanisë është grupi i vdekjes. Kam thënë se kjo lojë me Francën është si një parafinale, besoj se është grupi më i fortë, ku në të është edhe Portugalia e Hungaria. Është një grup i favoritëve për finale, mendoj se një ekip prej grupit do të shkojë në finale”, ka shtuar Mehmeti.

Ajo më herët kishte luajtur për U-17 dhe U-20 të Gjermanisë, ndërsa tash është pjesë e përfaqësueses së Kosovës.

“Kam qejf me pa Gjermaninë duke luajtur dhe ta shohë duke fituar. Por, të luash për Kosovën është ndjenjë e veçantë. Nuk ka qenë e vështirë të zgjedh Kosovën, pasi e kam dëgjuar zemrën”, ka thënë Mehmeti 21-vjeçare.