Euro 2020

Hungarinë e pret punë shumë e vështirë ndaj kampiones në fuqi

Avantazhi i ndeshjes si vendës mund të vijë fare pak në pah kur Hungaria të takohet me Portugalinë, të martën nga ora 18:00 në Budapest. Portugalia është e mbushur me lojtarë të nivelit më të lartë, ndërsa superylli i saj synon të shkruajë histori në këtë Evropian.

Cristiano Ronaldos i duhen edhe gjashtë gola që të bëhet shënuesi më i mirë në histori të futbollit, sa u takon ndeshjeve me Përfaqësuese.

Nëse Portugalia shkon larg në “Euro 2020”, Ronaldo mund ta thyejë rekordin e sulmuesit të Iranit, Ali Daei, prej 109 golash me përfaqësuese. Rastin e parë për t’iu afruar rekordit, Ronaldoi e ka të martën ndaj Hungarisë në “Pushkash Arena”. Hungaria në fakt vlerësohet kundërshtari më i lehtë i Portugalisë.

Portugalia e kishte mposhtur Francën me rezultatin 1:0, në kohën shtesë, në finale të “Euro 2016”, pasi mbeti pa Ronaldon për shkak të një lëndimi.

Ronaldo vazhdon të jetë lojtari kryesor i Portugalisë, por shumë pritet edhe nga mesfushori Bruno Fernandes, lojtari i krahut, Bernardo Silva dhe sulmuesi Diogo Jota.

Fernandes ka pasur një edicion kulmor te Manchester Unitedi, duke u shpallur katër herë lojtar i muajit. Ai zuri vend në ekipin më të mirë të Premier Leagues dhe realizoi 28 gola gjithsej, duke ndihmuar Unitedin të kualifikohet në finale të Ligës së Evropës. Jota u bë lojtari i parë në 27 vjetët e fundit që ka shënuar shtatë gola në dhjetë ndeshjet e para për Liverpoolin, para se të lëndohej.

Ai e ndihmoi Liverpoolin, që ishte në presion, të kualifikohej në Ligën e Kampionëve, pas rikthimit nga lëndimi. Në një ndeshje së fundi ndaj Izraelit, selektori Fernando Santos vendosi në fushë Fernandesin, Silvan e Jotan, krahas Ronaldos. Dhe Portugalia fitoi 4:0.

Hungaria mund të vuajë edhe në anën tjetër të fushës. Portugalia ka po ashtu një mbrojtje stabile, që vështirë do të thyhet. 38-vjeçari Pepe mbetet kryesori në qendër të mbrojtjes. Ai ishte i jashtëzakonshëm te Porto që eliminoi Juventusin në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.

Ruben Dias ishte vendimtar te City që fitoi Premier Leaguen. Njëjtë ishte edhe Jose Fonte me Lillen, që fitoi titullin në Francë para PSG-së.

37-vjeçari Fonte ofron mbështetje të përkryer për Pepen dhe Diasin, derisa Rui Patricio mbetet i pazëvendësueshëm në portë.

Mbrojtësi i djathtë, Joa Cancelo, që shënoi ndaj Izraelit, doli pozitiv në testin për COVID-19 dhe do të mungojë në turne. Santosi e ka zëvendësuar atë me mbrojtësin Diogo Dalot. Dalot më pak del në sulm, në krahasim me Cancelon që shquhet për prirje ofanzive.

Hungarezët presin përkrahje të madhe në stadiumin e mbushur, por është vështirë të parashikohet se mund ta shqetësojnë Portugalinë. Skuadra aktuale e Hungarisë nuk ka iniciativën që kishte në “Euro 2016”, ku tri herë ishte në avantazh në barazimin 3:3 me Portugalinë. Ronaldo shënoi dy golat e fundit për Portugalinë.

Ai ekip i Hungarisë ishte i inspiruar nga mesfushori Zoltan Gera, që u pensionua nga Përfaqësuesja. Ai ka shënuar 26 gola për hungarezët. Pasardhës i Geras, të paktën në këtë turne, është dashur të jetë Dominik Szoboszlai. Mesfushori 20-vjeçar konsiderohet prej talenteve më të mëdha të futbollit hungarez që nga dalja e Krisztian Nemethit në vitin 2010.

Szobolai ka shënuar për Salzburgun në Ligën e Kampionëve dhe golin e fitores për Hungarinë në plejof ndaj Islandës. Goli i tij prej 20 metrave e dërgoi Hungarinë në ”Euro 2020”. Por Szoboszlai është larguar nga ekipi për “Euro 2020” dy javë më herët për shkak të një lëndimi. Kështu, Hungaria ka mbetur pa talentin më të madh në një grup të vështirë, ku janë edhe Franca e Gjermania.

“Unë nuk shikoj statistikat. Prej atij që kam parë nga Hungaria, nga plejofi, ndeshja e fundit, nga mënyra se si janë shprehur hungarezët në ditët e fundit, e di që duhet të jemi në gjendjen më të mirë për të shënuar fitore. Pres që kundërshtari të luajë fuqishëm, pa frikë dhe jo ta presë kundërsulmin”, ka thënë selektori i Portugalisë, Fernando Santos.

“Ne do të bëjmë çdo gjë për të shtyrë veten drejt limiteve. E dimë se kundër kujt luajmë. Do të mbajmë këmbët në tokë. Por natyrisht duam të realizojmë ëndrrat”, ka thënë Marco Rossi, selektor i Hungarisë.

“Euro 2020”, Grupi F: Hungaria – Portugalia, e martë (18:00)