Euro 2020

Bota e futbollit bashkohet pas rastit fatkeq të Eriksenit

Descriptive Text

Një prej skenave më të rënda të futbollit është parë të shtunën mbrëma në “Parken Stadium” në Kopenhagë. Derisa po luheshin minutat e fundit të pjesës së parë të ndeshjes së Euro 2020 në mes të Danimarkës dhe Finlandës, në fushë është rrëzuar ylli i Danimarkës, Christian Eriksen. Ai është rrëzuar dhe ka kolapsuar pa qenë në duel me ndonjë lojtar kundërshtar. Kanë pasuar skena që do të mbesin gjatë në kujtesë dhe që do ta shënojnë Evropianin e shtyrë për këtë verë.

Për dhjetëra minuta nuk është ditur nëse Eriksen do të shpëtojë. Ai kishte mbetur i shtrirë dhe pa ndjenja. Bashkëlojtarët dhe mjekët kanë vrapuar menjëherë për t’i dalë në ndihmë, ndërsa është vlerësuar lart reagimi i kapitenit danez, Simon Kjaer. Ekipet mjekësore ishin të shumta, ndërsa lojtarët janë kujdesur që sa më pak të shfaqet nga ajo që i ndodhi Eriksenit. Ata janë rreshtuar rreth Eriksenit për të formuar një “mur të gjallë”, që skenat e rënda të mos duken shumë. Ndërkohë, mjekët kanë intervenuar në mënyra të ndryshme për ta mbajtur në jetë Eriksenin.

Dhe ia kanë dalë. Pas më shumë se gjysmë ore ai është bartur jashtë stadiumit dhe është dërguar në një nga spitalet e Kopenhagës. Nga fusha është larguar po ashtu i rrethuar nga bashkëlojtarët, por dolën fotografi që e shfaqnin atë zgjuar. Më vonë UEFA dhe Federata e Futbollit e Danimarkës konfirmuan se Erikseni ka kaluar gjendjen e rëndë dhe është stabilizuar në spital. Ai u është nënshtruar kontrolleve shtesë.

Me insistimin e lojtarëve, UEFA ka vendosur që ndeshja të vazhdohet. Janë luajtur minutat e mbetur të pjesës së parë, ndërsa pas pesë minutash pushim edhe e gjithë pjesa e dytë. Pas vazhdimit të ndeshjes, Finlanda ka gjetur golin dhe ka fituar me shifrat 1:0. Por, rezultati dhe e gjithë ndeshja mbetën në hije të atij momenti të rëndë për futbollin.

Joel Pohjanpalo shënoi golin e fitores në minutën e 60-të. Danimarka ishte favorite absolute dhe dominoi ndeshjen. Por, Finlanda shfrytëzoi rastin dhe i fitoi tri pikë të mëdha. Për Finlandën është ndeshja e parë në Evropian.

Është bashkimi i botës së futbollit pas rastit fatkeq të Eriksenit, që vlerësohet si fitorja e madhe e së shtunës. Mesazhet në përkrahje të lojtarit ishin të shumta dhe të menjëhershme. Të gjithë e kanë pritur me gëzim lajmin se Erikseni e ka kaluar gjendjen e rëndë dhe po e merr veten.

Është raportuar se Erikseni nga spitali ka telefonuar bashkëlojtarët dhe u ka kërkuar atyre që ta vazhdojnë takimin.

“Futbolli është lojë e bukur dhe Christiani e luan atë shumë bukur”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.

UEFA e ka shpallur Eriksenin lojtar të ndeshjes dhe i ka dëshiruar atij shërim të shpejtë e të plotë. Po ashtu, UEFA i ka falënderuar lojtarët e të dy përfaqësueseve për sjellje shembullore.

Selektori i Finlandës, Markku Kanerva, ka folur për ndeshjen e jashtëzakonshme.

“Ishte natë shumë emocionale për ne. Për herë të parë në një turne të madh dhe ndeshja hapëse ndaj Danimarkës në stadiumin e saj. Kur kemi dëgjuar himnin, ishte shumë emocionale për ne. Më pas ajo që i ndodhi Christian Eriksenit – një incident dramatik dhe i trishtuar. Dhe më pas, më në fund, ne morëm rezultatin nga ndeshja. Natyrisht se jam i lumtur. E pabesueshme. Do ta mbajmë mend këtë gjatë për arsye të shumta”, ka thënë Kanerva.

Ai ka treguar se çka u ka thënë lojtarëve para rifillimit të lojës.

“U kam thënë se i kuptoj emocionet e ndeshjes dhe si ndihen ata pas asaj që i ndodhi Christianit. U kam thënë të mundohen të fokusohen aq sa munden në lojë. U kam thënë se e di se do të jetë e vështirë për ta bërë këtë, por ata e përballuan vërtet mirë.”

Mesazhet në përkrahje të Eriksenit ishin të shumta. Kanë shkruar lojtarët më të njohur dhe figura të mëdha sportive.

“Mendimet tona dhe lutjet tona janë për Christian Eriksenin dhe familjen e tij. Bota e futbollit qëndron e bashkuar dhe shpreson për lajme të mira. Pres që ta shoh sërish në fushë. Qëndro i fortë”, ka shkruar Cristiano Ronaldo.