Spanja i ka dërguar në shtëpi 17 lojtarët që ishin thirrur këtë javë për të krijuar skuadrën alternative, pas rasteve pozitive me koronavirus brenda ekipit të spanjollëve.
Gjashtë lojtarë me eksperiencë të mëparshme me Spanjën dhe 11-të lojtarë nga Spanja U21 u thirrën nga përzgjedhësi Luis Enrique, pasi kapiteni Sergio Busquets doli pozitiv me Covid-19 të dielën.
Këta lojtarë u lanë të lirë të shtunën, një ditë pasi skuadra u vaksinua, ndërsa i gjithë grupi doli tri ditë rresht negativ në teste.
23 lojtarët për “Euro 2020” e formuan gardën e nderit dhe i duartrokitën ata të cilët po largoheshin.
Më herët gjatë kësaj jave, Luis Enrique e përgëzoi “qëndrimin e shkëlqyer” të veteranëve të ekipit të cilët iu përgjigjën thirrjes së tij, pavarësisht se ishin në pushime. Nuk i la pa e përmendur edhe ndihmën e dhënë nga lojtarët e Përfaqësueses U21 të Spanjës.
Skuadra ka stërvitur së bashku të shtunën për herën e parë këtë javë. Futbollistët kanë kryer stërvitje të ndara në grupe të vogla, për ta parandaluar përhapjen e virusit.