Euro 2020

“La Roja” gati për “Euro 2020”, pas tre vjetësh plot telashe

Spanja do ta nisë Evropianin 2020 të hënën në mbrëmje kur do të ballafaqohet me Suedinë në Sevilla.

Kanë qenë plot tre vjet me plot incidente që prej Kupës së Botës 2018-të, shkruan “Marca”.

Përzgjedhësi Luis Enrique e la pozitën që e kishte në mars të vitit 2019-të për shkak të telasheve në familje, ndërsa asistenti i tij Robert Moreno, e udhëhoqi skuadrën drejt kualifikimit në Evropianin 2020.

Marrëdhënia e tij me Luis Enriquen u prish dhe kur Luis Enrique u kthye në nëntor në postin që e kishte, e largoi Morenon.

“Euro 2020” që u shty për një vit, do të thotë se Luis Enrique ka qenë në krye të skuadrës për tri vjet, pa e drejtuar skuadrën drejt një ngjarjeje të madhe.

Ai e la jashtë skuadrës Sergio Ramosin, kapitenin dhe liderin e padiskutueshëm të “La Rojas”. Madje, nuk e ftoi asnjë futbollist tjetër të Real Madridit.

Pasi skuadra u mblodh në përgatitje para duelit hapës në “La Cartuja”, u shfaq koronavirusi brenda në skuadër.

Sergio Busquets doli i pari me testin pozitiv, më pas edhe Diego Llorente.

Kjo bëri që kundër Lituanisë në miqësore, Spanja të luante me lojtarë të grupmoshës U21.

Luis Enrique shpreson që vaksina që skuadra e mori të premten, të jetë shpëtim për të udhëhequrit e tij.