Trajneri kosovar, Sami Sermaxhaj, ka thënë Italia nuk ka përfaqësuese të futbollit me plot yje sikur favoritët e Kampionatit Evropian “Euro 2020”, por loja e mirë grupore po i sjell sukses.
Italia nisi mbarë “Euro 2020” me fitore të thellë 3:0 ndaj Turqisë. Për këtë ndeshje Sermaxhaj ka thënë se Italia ka qenë bindëse dhe se s’është paraqitur sikur në të kaluarën kur ka administruar epërsinë, por se ka vazhduar me sulme.
“Në raport me Francën, Gjermaninë, Portugalinë, Belgjika e Anglia, Italia s’ka numër të madh të lojtarëve që luajnë në ekipe elitare, ka lojtarë që luajnë në Sassuolo e diku tjetër, por po performon mirë. Ndoshta s’e ka ekipin më të mirë me emra si shtetet tjera, por si ekip mendoj se po performon shumë mirë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së. “Italianët tradicionalisht kanë luajtur futboll shumë të mençur dhe cinik. Shpeshherë i kanë përfunduar ndeshjet me rezultat minimal dhe pse s’kanë treguar futboll atraktiv, kanë ditur më së miri t’i administrojnë rezultatet dhe shpeshherë kanë dalë kampion. Është herët për të gjykuar, por është kombëtare që s’ka shumë yje brenda ekipit sikur që kishte më herët, megjithatë ka grup të lojtarëve të cilët kanë bërë përvojë të përbashkët dhe po performojnë shumë mirë”.
Sermaxhaj ka thënë se në kuadër të Grupit A, krahas Italisë favorite e sheh edhe Zvicrën që të shtunën luan ndaj Uellsit. Ka dalluar këtë përfaqësuese për shkak të paraqitjeve të rregullta në garat prestigjioze viteve të fundit. Megjithatë, ka thënë se duhet të priten edhe befasitë.