Nga një nxënës deri te përfaqësuesja, Dylan Levitt ka bërë rrugë të gjatë qëkur Uellsi shkoi larg në Kampionat Evropian.
Uellsi arriti deri në gjysmëfinale në “Euro 2016”, në debutim në këtë ngjarje, duke inspiruar të rinjtë si Levitt për të punuar dhe për të hapur rrugën për të qenë në Evropian këtë vit.
“Jam rritur duke shikuar atë ekip, kam shikuar ndeshjet në sallën e shkollës. Kam shikuar çdo ndeshje. Nëse nuk isha në shkollë, shikoja ndeshjet me shokë dhe me familje”, ka thënë 20-vjeçari Levitt. “Nuk mërzitem duke dëgjuar gjëra për atë Evropian. Vetëm dua t’i bëj sërish ato. Shikimi i atyre ndeshjeve më ka bërë më të uritur për të arritur në këtë Evropian”.
Levitt dhe bashkëlojtarët e tij, ku përfshihen Gareth Bale e Aaron Ramsey, do ta hapin “Euro 2020” të shtunën ndaj Zvicrës. Ndeshja e orës 15:00 luhet në Azerbajxhanin e largët.
Bakuja, ku luhet takimi, është rreth 4200 kilometra larg Uellsit. Azerbajxhani ka lejuar tifozët e huaj, me gjithë pandeminë, por do të ketë dukshëm më pak uellsianë se në Francë pesë vjet më parë.
Uellsi ka skuadër me lojtarë të rinj e të talentuar, ndërsa Bale ka besim te bashkëlojtarët e rinj.
“Kemi pasur disa biseda, por ata nuk kanë nevojë për shumë ndihmë. Ata janë dëshmuar gjatë kualifikimeve dhe kemi besim të plotë në atë që mund të bëjnë ata”, ka thënë Bale të premten.
“Kemi një miksim të mirë të lojtarëve me përvojë dhe të rinjve, kështu që jemi të entuziazmuar për të nisur turneun”.
Por përgatitjet e Uellsit për Evropian nuk ishin më të mirat. Robert Page është trajner i përkohshëm për “Euro 2020”, derisa Ryan Gigs po pret një gjyq që mbahet në janar.
Zvicra qartë se dëshiron të nisë me fitore ndaj Uellsit, para ndeshjeve që në letër duken më të vështira, me Italinë dhe Turqinë.
Mbrojtësi i Zvicrës, Ricardo Rodriguez, planifikon t’i qëndrojë afër yllit Bale.
“Ai është lojtar i mirë, me shumë përvojë. Por të bashkuar mund ta ndalim atë”, ka thënë Rodriguez. “Nëse i lejojmë hapësirë për të lëvizur, do të bëhet vështirë”.
Viti 2020 ishte dëshpërues për Zvicrën, por për më mirë shpresohet për 2021. Zvicra i ka fituar të gjitha pesë ndeshjet e këtij viti, por nuk ka luajtur ende me përfaqësuese të mëdha.
Zvicra ka arritur në 1/8 e finales në tre turnetë e fundit të mëdhenj. Sfidë tani është të ndërtohet në këtë sukses dhe të preket çerekfinalja.
Granit Xhaka është kapiten i Zvicrës, ndërsa Xherdan Shaqiri llogaritet prej lojtarëve kryesorë te helvetikët. Në përfaqësuesen e Zvicrës është edhe Admir Mehmedi. Me Shaqirin e Xhakën në formë, Zvicra ka gjasa të shkojë larg në Evropian.