Euro 2020

Danimarka pranon rolin e favorites, Finlanda synon befasinë në nismë

Portieri i Finlandës, Lukas Hradecky, është treguar shumë i sinqertë kur ka folur për dallimin mes ekipit të tij dhe Danimarkës në Kampionatin Evropian.

“Danimarka ka lojtarë më të mirë se ne në secilën pozitë”, ka thënë Hradecky para debutimit të Finlandës në një ngjarje të madhe futbolli.

Më pas portieri i Bayer Leverkusenit ka përmendur një gjë që mund të shkojë në favor të Finlandës para përballjes të së shtunës me Danimarkën në Kopenhagë.

“Por ne kemi dëshmuar më parë se si ekip jemi dukshëm më i mirë se që njerëzit mendojnë”, ka shtuar ai.

Danimarka e Finlanda takohen në ndeshjen e parë të grupit B, të shtunën nga ora 18:00 në “Parken Stadium” në Kopenhagë. Në ndeshjen tjetër të grupit, prej orës 21:00, në St. Petersburg takohen Belgjika dhe Rusia.

Derisa në radhët e Danimarkës ka disa lojtarë të njohur e të suksesshëm, te Finlanda emër i njohur është Teemu Pukki i Norwichit. Por është grupi që paraqet forcën kryesore të finlandezëve.

Nën drejtimin e selektorit Markku Kanerva, Finlanda ka shfaqur kohezion gjatë kualifikimeve. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se ekipi i Kanervas është së bashku që nga Evropiani U-19 i vitit 2019.

Finlanda shpreson të bëjë disa befasi në Evropian, ndërsa danezët janë të vendosur për të startuar furishëm. Danezët e dinë më së miri se si mund të shkaktohet një befasi e madhe në një ngjarje të madhe. Triumfi i tyre në “Euro 1992” vazhdon të mbetet prej befasive më të mëdha në sport. Për ndeshjen ndaj Finlandës, danezët janë favoritë të mëdhenj.

Danimarka nuk ka brenga të lëndimeve për ndeshjen e saj hapëse. Të gjithë lojtarët danezë pritet të jenë të gatshëm. Trajneri Kasper Hjulmand pritet të vendosë mes sulmuesve të rinj, Kasper Dolbert dhe Jonas Wind, për ta udhëhequr vijën e parë.

Sulmuesi i Finlandës, Teemu Puki, pësoi një lëndim në maj, por u kthye dhe luajti 30 minuta në ndeshjen e fundit para Evropianit ndaj Estonisë. Gjendja e kapitenit Tim Sparv do të vlerësohet.

Finlanda ka fituar vetëm një prej 22 ndeshjeve të fundit me Danimarkën. Ka edhe gjashtë barazime e plot 15 humbje. Në shkurt të vitit 2000, Finlanda kishte fituar 2:1 në një miqësore.

Danimarka

Ky është Evropiani i nëntë për Danimarkën, i pari që nga viti 2012. Avancimi në çerekfinale në vitin 2004 ishte kalimi i parë i grupit për Danimarkën, qëkur e fitoi turneun në vitin 1992.

Christian Eriksen shënoi pesë gola dhe bëri tri asistime në tetë ndeshje kualifikuese.

“Nuk bën të dalim në fushë dhe të humbim ndeshje për shkak se nuk jemi përgatitur mjaftueshëm. Nuk bën të humbim, sepse nuk e kemi dashur fitoren më shumë se kundërshtari. Dhe nuk bën të humbim se nuk kemi luajtur më së miri që mundemi. Duhet të lëmë çdo gjë në fushë dhe të bëjmë çdo gjë për të fituar. Ne duhet të avancojmë nga grupi. Ky është synimi, natyrisht. Më pas të gjitha ndeshjet e nokautit vendosen nga detajet”, ka thënë trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand.

Finlanda

Finlanda është njëra prej dy debutueseve në “Euro 2020”, së bashku me Maqedoninë e Veriut. Finlanda fitoi gjashtë prej dhjetë ndeshjeve kualifikuese. E mbajti portën të paprekur në të gjitha gjashtë fitoret.

Por, finlandezët kanë pranuar dhjetë gola në katër ndeshjet e tjera, dy ndaj Italisë dhe në ndeshjet në udhëtim ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe Greqisë.

Finlanda është pa fitore në gjashtë ndeshje. Ka dy barazime e katër humbje. Ka humbur tri ndeshjet e fundit.

Teemu Pukki ka shënuar dhjetë prej 16 golave në kualifikime. Ka tetë gola më shumë se secili lojtar tjetër i Finlandës.

“Kam pyetur veten se çka e bën këtë skuadër të veçantë, se si ishim në gjendje të arrijmë këtë sukses? Gjëja kryesore është uniteti. Sinqerisht jemi si një familje e madhe. Në klubet tona gjithnjë na thonë se duhet të jemi të bashkuar dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Atë që kemi këtu është pikërisht kjo. E përshkruan më së miri”, ka thënë mesfushori i Finlandës, Fredrik Jensen.

Danimarka – Finlanda

E shtunë, 18:00

Parken Stadium – Kopenhagë

Arbitra: Anthony Taylor (Angli)

Përbërjet e mundshme

Danimarka: Schmeichel, Wass, Kjaer, Chirstensen, Maehle, Eriksen, Hoejbjerg, Delaney Poulsen, Dolberg Braithwaite

Finlanda: Hradecky, Arajuuri, Toivio, O’Shaughnessy, Raitala, Kamara, Sparv, Lod, Uronen, Pukki, Pohjanpalo