Ish-portieri i njohur çek, Petr Cech, nuk është adhurues i madh i formatit aktual të Evropianit. Cech ka thënë se vendimi për të luajtur Evropianin në 11 qytete të shtrira në gjithë Evropën, do të thotë se turneu kontinental ka humbur sharmin dhe do të jetë makth për tifozët.
“Sharmi i Evropianit ishte në faktin që organizohej në një apo në dy shtete të afërta”, ka thënë Cech në një konferencë për gazetarët çek.
“Ishte më lehtë të udhëtohet, sidomos për tifozët. Atmosfera ishte krejtësisht tjetër pasi tifozët e ekipeve mund të qëndronin në të njëjtin vend. Formati i këtij viti është makth për tifozët”, ka theksuar ish-portieri i njohur.
Sipas Cechut, skuadrat që luajnë ndeshjet e grupeve para tifozëve të tyre kanë avantazh të madh ndaj ekipeve që duhet të bëjnë udhëtime të gjata.
Ish-portieri i Chelseat dhe Arsenalit ka luajtur në katër Evropianë me Çekinë. Sipas tij pandemia vetëm e ka bërë edhe më të rëndë gjendjen. Ai planifikon t’i shikojë dy ndeshje të Çekisë, me Anglinë dhe Kroacinë.
Ai i vlerëson Anglinë, Francën, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë pretendente.