Euro 2020

Momentet ikonike të kampionateve evropiane

Më në fund, pas një pritjeje më të gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit, Kampionati Evropian i futbollit është kthyer me edicionin e 16-të.

Është një turne që ka definuar karriera dhe ka thyer zemra me dramën që vetëm sa është rritur me zgjerimin e formatit gjatë vjetëve, nga formati fillestar me vetëm katër përfaqësuese në turneun final që ishte nga viti 1960 e deri në vitin 1980.

Gola magjepsës, festime të çmendura dhe triumfe shokuese, të gjitha këto hyjnë në mesin e momenteve më të mëdha në histori të kampionateve evropiane.

10. Italia fitoi me hedhje të monedhës (1968)

Në vitin 1968 gara mori emrin Kampionat Evropian, pasi në dy edicionet e para quhej Kupa e Shteteve Evropiane.

Përkundër ndryshimit, në turneun final ende morën pjesë vetëm katër skuadra dhe nikoqirja Italia u caktua kundër Bashkimit Sovjetik në gjysmëfinale – ku skuadrat arritën duke fituar fazën e grupeve dhe çerekfinalet gjatë periudhës dyvjeçare, para turneut final, ngjashëm me formatin e tashëm të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Pasi nuk pati gola gjatë 90 minutave dhe shtesave, Giacinto Facchetti “mposhti” Albert Shesternyovin me hedhje të monedhës. Monedha u hodh në zhveshtore, ndërsa Italia siguroi kalimin në finale kundër Jugosllavisë. Ndeshja po ashtu kishte mbaruar baras edhe pas shtesave, por UEFA vendosi që të ripërsëritet finalja, të cilën Italia e fitoi 2:0. Incidenti, dhe shumë të tjera si ato në vitet 1960, ishin faktor kryesor që FIFA prezantoi ekzekutimin e penalltive në vitin 1970.

9. Arshavin shkatërron Holandën (2008)

Holanda ishte ndër favoritet për ta fituar Evropianin e vitit 2008 të mbajtur në Zvicër dhe Austri. Kjo bindje u përforcua edhe më tej kur Holanda i fitoi të gjitha ndeshjet e fazës grupore, ndërsa në grup ishin edhe Italia e Franca. Çerekfinalja kundër Rusisë ishte vlerësuar thjesht formalitet, dhe të gjithë po shihnin para drejt gjysmëfinales mes Holandës e Spanjës. Mirëpo, Andrey Arshavin pati ide të tjera.

Një lojtar që arriti kulmin vonë dhe doli në skenë botërore për herë të parë si 27-vjeçar, sulmues i shpejtë e teknik, Arshavin dërrmoi mbrojtjen e Holandës. Ruud van Nistelrooy realizoi nga fundi i ndeshjes golin e barazimit duke e çuar atë në shtesa, pasi më herët Roman Pavyuchenko realizoi golin e avantazhit për Rusinë. Në vend se të priste të arrinte te penalltitë, Arshavini dhe Rusia e rritën nivelin e lojës, ku sulmuesi shënoi një gol dhe asistoi një tjetër, ndërsa Rusia arrti fitore befasuese në shtesa.

Arshavini më pas u transferua tek Arsenali në Premier Leaguen e Anglisë.

8. Goli i fitores i shënuar nga Platini në shtesa (1984)

“Euro 1984” ishte me format të zgjeruar me tetë përfaqësuese që bënin pjesë në dy grupe, e më pas dy të parat shkonin në gjysmëfinale.

Franca ishte kualifikuar në mënyrë automatike dhe ekzistonte një optimizëm se mund të arrihet sukses. Franca po udhëhiqej nga kapiteni ikonik Michel Platini.

Kishte kaluar pa telashe fazën e grupeve, ndërsa Platini shënoi shtatë gola në tri ndeshjet e para. Por, presioni dukej se kishte bërë të veten në gjysmëfinale, ndërsa Rui Jordao me dy gola të vonshëm kishte barazuar rezultatin për Portugalinë. Më pas Portugalia shënoi edhe golin e epërsisë në shtesa.

Platini pastaj doli në skenë. Ai asistoi golin e barazimit për Jean-Francois Domergue në minutën e 114-të, para se të shënonte golin e fitores në minutën e 119-të. U bë i famshëm festimi i çmendur i tij.

7. Panenka origjinale (1976)

“Panenka” është një emër që simbolizon ekzekutimin e penalltisë në formë parabole dhe me gjuajtje në qendër të portës, ndërsa dërgon portierin në anën e majtë apo të djathtë. Mirëpo, rrjedh nga një moment tjetër historik në Kampionat Evropian, nga finalja e vitit 1976.

Me hedhjen e monedhës pjesë e së kaluarës, në turneun e vitit 1976 gjithë turnetë shkuan në shtesa, por asnjëri nuk shkoi në penallti deri në finale, ku Gjermania Perëndimore u kthye nga disavantazhi prej 2:0 dhe barazoi në minutën e 89-të kundër Çekosllovakisë. Pasuan shtesat e tensionuara dhe më pas edhe ekzekutimi i penalltive.

U shënuan shtatë penalltitë para se Uli Hoeness të humbte. Me sytë e të gjithëve te penalltia potenciale fituese, Antonin Panenka harroi presionin me një realizim me parabolë duke e çuar në anën e kundërt Sepp Maierin. Gjuajtja që nga atëherë njihet si Panenka.

6. Ngrirja e Anglisë kundër Islandës (2016)

Tifozët e Anglisë janë munduar të harrojnë atë që ndodhi para pesë vjetëve. Përfaqësuesja e Roy Hodgsonit nuk kishte marrë veten pas dy barazimeve në fazën grupore, duke dalë në vendin e dytë në grup pas Uellsit. Por kishte një bindje se Anglia shmangu një plumb duke evituar Belgjikën dhe se mund të përballej me Francën në çerekfinale në turneun e zgjeruar me 24 përfaqësuese, pasi të kalonte pa telashe Islandën.

Anglia kaloi në epërsi me golin nga penalltia të shënuar nga Wayne Rooney dhe tifozët ishin qetësuar, por lojtarët anglezë u relaksuan tepër.

Vetëm dy minuta më vonë Islanda barazoi nëpërmjet Ragnar Sigurdssonit, ndërsa Anglia e kishte të vështirë të përballonte autet e gjatë të Aaron Gunnarssonit. Pak më vonë, pas 18 minutave, një gabim i Joe Hartit ndikoi që gjuajtja e Kolbeinn Sigthrossonit të përfundonte në portë.

Anglia bëri përpjekje, por nuk arriti të barazonte rezultatin, duke pësuar humbjen më turpëruese në histori të evropianeve.

5. Greqia bën mrekullinë (2004)

“Euro 2004” ishte parashikuar se do të jetë turne shumë interesant dhe nuk zhgënjeu, ndonëse jo në mënyrën se si ishte pritur.

“Gjenerata e artë” e lojtarëve të Anglisë të drejtuar nga Sven-Goran Erikssoni ishte parashikuar ta fitonte turneun, por kishte kampionen në fuqi Francën në grup. Ndërsa Portugalia si nikoqire po ashtu shihej favorite, përkrah Gjermanisë, Italisë, Holandës e Spanjës. Nga 16 ekipe në turne, vetëm Letonia e Bullgaria shiheshin më autsajdere për të fituar sesa Greqia.

Një fitore shokuese me rezultatin 2:1 ndaj Portugalisë në xhiron e parë, kishte dhënë shenjat e para. Portugalia mori veten dhe përfundoi e para në grup, ndërsa Greqia e dyta.

Për befasi, Greqia e drejtuar nga Otto Rehhagel, arriti ta eliminojë Francën në çerekfinale dhe po ashtu Çekinë impresive në gjysmëfinale.

Në finale erdhi te një përballje tjetër Portugali – Greqi. Greqia fitoi edhe këtë ndeshje 1:0, siç fitoi ndaj Francës e Çekisë. Futbolli u shtang kur Theodoris Zagorakis ngriti trofeun e Kampionatit Evropian.

4. Danimarka shtang Gjermaninë (1992)

“Euro 1992” ishte turneu i fundit me tetë përfaqësuese, mirëpo kjo nuk duhet të shpërqendrojë nga arritja e jashtëzakonshme e Danimarkës.

Ajo që e bën suksesin e Danimarkës edhe më të jashtëzakonshëm është fakti se nuk ishte kualifikuar për turne. Mori ftesën në vend të Jugosllavisë vetëm një muaj para fillimit të Evropianit, pasi ish-shteti i Ballkanit u sanksionua nga Kombet e Bashkuara pas luftës civile.

Pas një pike të fituar kundër Anglisë në ndeshjen hapëse dhe humbjes 1:0 ndaj nikoqires, Suedisë, Danimarka po vlerësohej se kishte mision të pamundur të vazhdonte tutje. Duhej të mposhtte Francën në ndeshjen e tretë.

Por, Danimarka e bëri këtë, e mposhti Francën 2:1, para se të nokautonte kampionen në fuqi Holandën në penallti në gjysmëfinale pas barazimit 2:2 në kohë të rregullt.

Kampionia e botës Gjermania shihej favorite absolute në finale, por Danimarka me plot optimizëm arriti ta mposhtë Gjermaninë 2:0 dhe të ngrejë trofeun.

3. Pozimi i Balotellit (2012)

Shumë kishin parashikuar – dhe po shikonin para – për një finale Spanjë – Gjermani në “Euro 2012”.

Dhe me çdo ndeshje të kaluar dukej gjithmonë e më e arritshme, ku bota priste që kampionia në fuqi e Evropës, Spanja të sfidohej nga skuadra e re e Gjermanisë, e drejtuar nga Joachim Loew.

Italisë iu deshën penalltitë për ta mposhtur Anglinë në çerekfinale dhe Gjermania pritej të ishte e tepërt për të në gjysmëfinale. Por, doli në skenë Mario Balotelli.

Golin e parë e shënoi pas 20 minutave, me kokë, pas një krosimi të Antonio Cassanos. Gjermania mori kontrollin e ndeshjes dhe filloi të bënte presion, para se Italia ta godiste nga kundërsulmi.

Një top nga Riccardo Montolivo e gjeti Balotellin, që e befasoi Manuel Neuerin duke gjuajtur menjëherë, dhe gati sa nuk e grisi rrjetën nga 20 metra. Me bashkëlojtarët, shumica në gjysmën e vet të fushës, Balotelli grisi fanellën dhe tregoi muskujt e tij duke krijuar një nga pamjet më ikonike të kampionateve evropiane.

2. Goli me volej i Van Bastenit (1988)

Ndoshta një nga golat më të famshëm të kampionateve evropiane, sigurisht kur e merr parasysh se i siguroi Holandës fitoren në finale.

Në vitet 1970 doli në skenë Holanda, e njohur për “Futbollin Total” nën drejtimin e Rinus Michelsit dhe me Johan Cruyffin në zemër të tij. Por, dukej se momenti i kësaj Holande kishte mbaruar me humbje të ngushta në finale të botërorëve 1974 dhe 1978, e me dështimin për t’u kualifikuar në turnetë e vitit 1982, 1984 dhe 1986.

“Euro 1988” pa lindjen e një gjenerate të re të superyjeve. Futbolli i rrjedhshëm ishte ende atje, por duke i shtuar kësaj fuqinë dhe palodhshmërinë e superyjeve, si Marco van Basten, Ruud Gullit, Ronald Koeman e Frank Rijkaard.

Van Basten me tre gola të shënuar ndihmoi Holandën ta eliminonte Anglinë në fazën e grupeve, para se të realizonte golin e vonshëm të fitores në gjysmëfinale ndaj Gjermanisë Perëndimore. Holanda triumfoi me rikthim.

Rezultati i finales kurrë nuk ishte në dyshim. Gullit realizoi në pjesën e parë, por goli spektakolar i Van Bastenit me volej vulosi sfidën.

(1): “Karrigia e dentistit” e Gascoignet (1996)

Asgjë nuk e përshkruan Evropianin më mirë sesa një shtet i pushtuar nga vala verore dhe duke festuar golin kundër rivalit më të afërt.

Goli në vete ishte spektakolar, jo si i Van Bastenit, por Paul Gascoigne kontrolloi topin, e ngriti sipër kokës së mbrojtësit kundërshtar dhe realizoi për 2:0 në ndeshjen kundër Skocisë.

Por ishte festimi – duke rikrijuar skandalin e alkoolit të skuadrës së Anglisë që ishte bërë publik disa javë para turneut – që thotë çdo gjë.

Gascoigne u shtri përtokë, ndërsa Steve McManaman, Alan Shearer e Jamie Redknapp po i hidhnin ujë atij, ndërsa dukej sikur po pi alkool. Mbetet prej momenteve më të veçanta me të tjera momente që mund të paraqiten në “Euro 2020”.