Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut është në Bukuresht, ku të dielën do ta luajë ndeshjen e parë historike në Kampionatin Evropian kundër Austrisë në kuadër të Grupit C. E mesfushori shqiptar, Enis Bardhi, thotë se ndihet mirë dhe se mezi pret të vijë dita për ta luajtur ndeshjen e parë në “Euro 2020”.
Futbollisti shqiptar beson se Maqedonia e Veriut ka potencial për ta kaluar grupin në Kampionatin Evropian, që nis të premten. Madje, Bardhi ka theksuar se Maqedonia e Veriut do t’ia dëshmojë të gjithë botës se di të luajë futboll të shkëlqyeshëm.
Futbollisti i ekipit nga La Liga, Levante ka theksuar se është i gatshëm të luajë që nga ndeshja e parë në “Euro 2020”, pasi u bashkua me ekipin pas izolimit për shkak se rezultoi pozitiv me koronavirus. Maqedonia e Veriut është në Grupin C bashkë me Austrinë, Holandën dhe Ukrainën.
“Ndihem mirë, nuk kam asnjë problem. Në momentin që isha i izoluar po stërvitesha vetëm. Për këtë moment jam gati si fizikisht ashtu edhe mendërisht si të gjithë futbollistët e tjerë. Mezi presim që të fillojë kampionati dhe ndeshja e parë kundër Austrisë. Të gjithë po e presin këtë ndeshje për të dhënë 100 për qind. Mbetet vetëm të stërvitemi dhe ta japim më të mirën”, ka thënë Bardhi, njofton “ekipa.mk”. “Ajo që kam përjetuar në kampionatn evropian për të rinj është diçka e paharrueshme. Sidoqoftë, gjithçka është ndryshe. Ne nuk kemi ardhur këtu që të jemi të huaj dhe të jemi të kënaqur vetëm me pjesëmarrjen. Maqedonia ka dëshmuar shumë herë se është ekipi i vlefshëm dhe sa lojtar cilësorë ka në grup. Ky Evropian do të tregojë në të gjithë botën se si Maqedonia e Veriut do të luajë në futboll të shkëlqyeshëm”.
Bardhi është pjesë e përfaqësueses maqedonase prej vitit 2015, ndërsa në 30 ndeshje të zhvilluara ka shënuar gjashtë gola. Ai ka luajtur edhe për Shpresat e Maqedonisë së Veriut. Ka qenë pjesëmarrës edhe në Kampionatin Evropian. Por insiston se paraqitja me përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut në “Euro 2020” do të jetë diçka shumë e veçantë për të.
“Ne po jetojmë ëndrrën. Duhet të shkojmë nga ndeshja në ndeshje dhe të besojmë se mund të kualifikohemi në fazën e nokautit. Gjëja më e rëndësishme është që ne të jemi të aftë për lojë dhe ju premtoj se do të jem gati për çdo minutë të Kampionatit Evropian dhe se do të shijoj çdo sekondë të kaluar në fushë”, ka theksuar Bardhi.