Euro 2020

Spanjollët të detyruar krijojnë skuadër “paralele” shkaku i virusit

Foto: AP
 

Përfaqësuesja e Spanjës ka krijuar një skuadër “paralele” me 17 lojtarë rezervistë për “Euro 2020”, të cilët do të duhej të luanin nëse koronavirusi përhapet midis lojtarëve aktualë, ka bërë të ditur stadi i ekipit të mërkurën. Në një vendim të njoftuar vetëm disa orë pasi mbrojtësi i Spanjës, Diego Llorente, u bë lojtari i dytë që doli pozitiv në testin për Covid-19, Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF) bëri të ditur se tashmë ka krijuar një skuadër paralele që do të qëndrojë e gatshme dhe në izolim.

RFEF tha se tashmë janë thirrur 11 lojtarë për t'u bashkuar me gjashtë rezervistë, të cilët tashmë ishin duke vepruar si mbulesë për ekipin aktual të përzgjedhësit Luis Enrique, që është goditur nga koronavirusi. Kapiteni Sergio Busquets doli pozitiv të dielën e shkuar, vetëm një javë para se Spanja të luante ndeshjen e parë në Kampionatin Evropian. Të hënën Spanja do të përballet me Përfaqësuesen e Suedisë në Sevilla, në kuadër të Grupit E të “Euro 2020”. Sikurse Spanja, edhe Suedia tashmë është goditur nga koronavirusi, me dy lojtarët, Dejan Kulusevski e Mattias Svaberg, që kanë rezultuar pozitivë pas testeve të bëra të martën. Qëkur Busquests doli pozitiv me koronavirus, e gjithë skuadra e Spanjës që do të paraqitet në Kampionatin Evropian ka qenë në izolim. 11 të sapoardhurit te Spanja ishin pjesë e një ekipi U21 që mposhti Lituaninë 4:0 të martën në mbrëmje, në ndeshjen e fundit miqësore para Kampionatit Evropian. Në federatën spanjolle kanë insistuar se vendimi për të krijuar një skuadër “paralele” që do të jetë në dispozicion të Enriques gjatë Evropianit ishte i pashmangshëm.