Euro 2020

Belgjika e sheh veten në disavantazh për “Euro 2020”

Përfaqësuesja e Belgjikës është në disavantazh në Kampionatin Evropian, pasi nuk do ta luajë asnjë ndeshje të turneut në shtëpi. Kështu ka insistuar të martën qendërmbrojtësi Thomas Vermaelen.

Brukseli ishte zgjedhur në fillim si një prej 13 qyteteve për të pritur ndeshjet e “Euro 2020”, që nis të premten. Por pas shumë vonesave për fillimin e ndërtimit të stadiumit të ri për këtë ngjarje, u hoq nga lista prej UEFA-s në vitin 2017. Kjo do të thotë se ekipi më i ranguar në listën e FIFA-s, Belgjika, që synon ta fitojë trofeun e parë në një turne të madh, të gjitha ndeshjet do t’i luajë në qytete të tjera, për dallim prej pretendentëve të tjerë, si Anglia, Gjermania, Italia, Holanda e Spanja, që do të luajnë në shtëpi.

Prej 24 skuadrave që do të marrin pjesë në Evropian, nëntë do ta kenë mundësinë që disa prej ndeshjeve t’i luajnë para tifozëve vendas. Sidoqoftë, Belgjika ka një barrë të rëndë udhëtimi në fazën e grupeve, duke e luajtur ndeshjen e parë të shtunën në St. Petersburg kundër Rusisë, pastaj duke u përballur me Danimarkën në Kopenhagë më 17 qershor përpara se të kthehet në qytetin rus për ta mbyllur fazën e grupeve kundër Finlandës.

Të gjitha këto ndeshje i takojnë Grupit B të “Euro 2020”.

“Sigurisht se është një disavantazh i madh për ne, pasi që duhet të luajmë në qytetet e tjera dhe vazhdimisht të udhëtojmë”, tha Vermaelen në konferencë për shtyp. “Ne do të preferonim të luanim ndeshje në shtëpi. Ky do të ishte një avantazh i madh, pasi nuk do të udhëtonim. Ekipet e tjera me të cilat përballemi luajnë në shtëpi dhe kanë përparësinë e fushës. Ky është një turp për Belgjikën që nuk e ka marrë asnjë ndeshje, por ne duhet ta pranojmë situatën dhe të përpiqemi ta fitojmë turneun përkundër këtij disavantazhi”.

Belgjika do të niset për në Rusi në prag të ndeshjes së parë dhe do të kthehet përsëri në bazën e saj në Tubize, rreth 25 kilometra në jug të Brukselit, menjëherë pas përfundimit të takimit. Pas tri ditësh qëndrimi në kampin në Tubize, Belgjika do të niset për në Kopenhagë për ta luajtur ndeshjen e dytë të grupit. Ndërsa menjëherë pas ndeshjes me Danimarkën do të udhëtojë direkt për në St. Petersburg për duelin e tretë.

“Do të jemi të ngarkuar me udhëtime të shpeshta dhe nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Megjithatë, ne kemi synimet tona dhe do të përpiqemi për ta fituar grupin, në mënyrë që të avancojmë tutje dhe të shkojmë sa më larg në Evropian”, shtoi Vermaelen. “Kemi një ekip të mirë dhe jam optimist se mund t’ia dalim pavarësisht vështirësive”.

Nëse Belgjika del e para në grup, siç është edhe synimi i saj, atëherë ndeshjen e 1/8 së finales do ta zhvillojë në Sevilla të Spanjës. Nëse përfundon e dyta në Grupin B, atëherë do të thotë se belgët do të udhëtojnë deri në Amsterdam për duelin e radhës.