Euro 2020

Si e ktheu Gareth Southgate besimin tek Anglia

“Një nga faktorët kryesorë që kam pasur raporte të mira me Gareth Southgaten”, thotë sulmuesi Danny Welbeck për përzgjedhësin e Anglisë, “ishte sepse atij i pëlqente të sigurohej që ka një kulturë vërtet të mirë brenda grupit”.

Mirëpo jo vetëm që Southgate beson në rëndësinë e zbatimit të një kulture të fortë pune, por është parimi qendror i stilit të tij të menaxhimit. Kurdoherë që Anglia kualifikohet për një turne të madh, pritshmëria fillon të rritet. Dhe ndërsa Anglia po përgatitet për “Euro 2020” që nis të premten, optimizmi i zakonshëm ka qenë rrallë më i justifikuar.

Me padyshim ekipin më të fortë në një dekadë dhe pas arritjes në gjysmëfinale të Botërorit “Rusia 2018”, Anglia renditet lart në mesin e favoritëve për ta fituar turneun.

Në të shkuarën Anglia ka dështuar nëpër turne të tillë për shkak të pritjeve të mëdha dhe Southgate ka një strategji tjetër për të pasur sukses. Ai synon të zvogëlojë presionin mbi lojtarët e tij në prag të “Euro 2020”. Në të vërtetë, Southgate këtë strategji po e përdor prej vitit 2017 dhe falë saj, një vit më vonë, Anglia luajti në gjysmëfinale të Botërorit.

“Ju po luani për vendin tuaj, ka shumë njerëz që ju shikojnë, por ai dëshironte që ta largonte presionin nga grupi. Ai krijoi një mjedis për të gjithë që të jenë të relaksuar dhe të shprehen në fushë”, thotë Welbeck, i cili kujton vitin 2017, kur për herë të parë u ftua nga Anglia. “Vendi ku po qëndronim ishte ideal për ta bashkuar grupin. Kishim shumë takime dhe Southgate kërkonte që të angazhohemi për njëri-tjetrin. Ai thoshte se të gjithë duhet të mësojnë nga shokët e skuadrës, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë fushe. Dhe kjo e bën Southgaten të veçantë”.

Southgate u ngrit në detyrë në shtator të vitit 2016, kur nga përzgjedhësi i përfaqësueses U21 të Anglisë, u emërua përzgjedhës i përkohshëm i ekipit A. Ai në këtë post e zëvendësoi Sam Allardycen, i cili dha dorëheqje për shkak të një skandali të korrupsionit.

I ngarkuar për mbikëqyrjen e katër ndeshjeve të ardhshme para se të bëhej përzgjedhës i përhershëm, Southgate kishte vetëm disa ditë për të mbledhur dhe përgatitur ekipin e tij për një ndeshje kualifikuese të Botërorit “Rusia 2018”, kundër Maltës, që do të luhej në “Wembley”.

Fillimisht ai ndryshoi në ekip sa më pak që ishte e mundur. Ai i besoi stafit me përvojë dhe lojtarëve, disa prej të cilëve i kishte tek ekipi U21. Southgate nuk pati asnjë plan mbi pozitën e përzgjedhësit të përhershëm në fillim, duke stërvitur skuadrën vetëm për katër ndeshjet që i kishte për detyrë t’i udhëhiqte. Ai e kuptoi se si eliminimi tronditës i Anglisë në “Euro 2016” nga Islanda, i ndjekur nga skandali i Allardycet, kishte krijuar një apati për ekipin te tifozët.

Fillimi i qetë

Në atë kohë ai e kishte parasysh se emërimi nuk do të pritej mirë në krahasim me emrat që qarkullonin për ta marrë drejtimin e Anglisë. Mirëpo Southgate e shfrytëzoi kohën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Brenda një afati prej dy muajve, Anglia përparoi me Southgaten dhe u kthye te rezultatet pozitive – fitoi ndaj Maltës e Skocisë, barazoi me Slloveninë e Spanjën – ku menjëherë ndjeu se besimi ishte kthyer te tifozët. Po ashtu, edhe besimi i tij për ta marrë drejtimin e Anglisë u rrit.

Ai e kuptoi se shpesh do t'i këshillonte njerëzit të mos pendoheshin në jetë dhe se do të ishte hipokrite të injoronte këshillën e tij. Federata e Anglisë konfirmoi emërimin e Southgatet si përzgjedhës i rregullt më 30 nëntor të vitit 2016, lajm që u prit në përgjithësi mirë nga tifozët.

Që nga fillimi riformimi i kulturës brenda skuadrës dhe stafit të tij ishte një përparësi. Në katër vjet e gjysmë në këtë post, Southgate ka tërhequr ndikime dhe frymëzim në çështjet e ndërtimit të ekipit, suksesit të qëndrueshëm dhe praktikave më të mira të menaxhimit të lojtarëve.

Ai flet rregullisht me trajnerin e ekipit të ragbit të Anglisë, Eddie Jonesin, dhe paraardhësin e tij Stuart Lancaster, ish-drejtorin e performancës së çiklizmit britanik, Dave Brailsford, dhe kapitenin e kriketit të Anglisë, Eoin Morgan, për të parë se si funksionojnë skuadrat e tyre.

Ai merr pjesë në konferenca lidershipi, dëgjon vazhdimisht tema të tilla dhe u takua me trajnerë të ekipeve amerikane në NFL, kur e përcolli nga afër Super Bowlin në vitin 2018.

Ai madje ka studiuar “Niken”, prodhuesin e pajisjeve të Anglisë, në një përpjekje për të marrë ndonjë këshillë për të funksionuar mirë.

Një nga ndryshimet kryesore që Southgate ka zbatuar është krijimi i një grupi drejtues të lojtarëve më të vjetër. Ai e bëri Harry Kanen kapitenin e Anglisë në vitin 2018.

Në vend që të ngarkojnë sulmuesin Kane me pjesën më të madhe të detyrave për mediat, Southgate ka angazhuar katër lojtarë me përvojë për këtë çështje, me të cilët vazhdimisht këshillohet për të gjitha situatat.

Southgate gjatë mandatit të tij është përballur edhe me sfida. Në mars të vitit 2019, Danny Rose ishte shënjestër e abuzimit racist nga tribunat, ndërsa Anglia luante me Malin e Zi në kualifikimet për “Euro 2020”. Southgate vetëm pas ndeshjes e kuptoi këtë çështje dhe i kërkoi futbollistit falje, i cili u ndëshkua me karton të kuq në pjesëlojën e dytë. Kështu që ai menjëherë foli me gjithë lojtarët dhe kërkoi prej tyre që të reagonin menjëherë në fushë nëse do të kishte ndonjë rast tjetër të ngjashëm.

Në konsultim me ekipin e psikologjisë sportive të federatës angleze, u përpiluan protokolle të reja dhe u vendos një rrjet mbështetës për trajtimin e një abuzimi të tillë dhe të gjithë ishin më të përgatitur kur, fatkeqësisht, ndodhi përsëri kundër Bullgarisë shtatë muaj më vonë.

Meqenëse Southgate foli aq mirë për këtë çështje më pas, duke dënuar me qetësi dhe artikulim sjelljen e tifozëve dhe duke mbështetur lojtarët e tij në maksimum, ai tani shpesh merr kërkesa për intervista ose për të marrë pjesë në dokumentarë rreth temës së racizmit në sport.

Mbrojtja e lojtarëve

Para një ndeshjeje të Ligës së Kombeve kundër Islandës në Reykjavik në shtator të vitit të kaluar, Phil Foden dhe Mason Greenwood u zbulua se kishin shkelur kufizimet për COVID19 duke ftuar femra në dhomën e tyre të hotelit.

Mirëpo Southgate edhe me këtë situatë u mor në mënyrë tejet të matur. Ai fillimisht kërkoi këshillën e kolegëve të tij dhe në fund vendosi që futbollistët t’i largonte nga ekipi.

“Unë nuk e kuptoj vërtet se si lojtarët mund të ishin ndier të pranueshëm në ekip pas asaj që ndodhi. Ne folëm me ta dhe mora vendim se do të duhej një veprim i shpejtë. Doja t’i mbroja edhe lojtarët e rinj sepse kishin familje dhe mos ta bëja më dramatike situatën”, tha Southgate.

Gjithashtu Southgate është përballur edhe me momente tensioni dhe presioni të madh në fushë, por edhe në këto raste ka vepruar me qetësi. Ndeshja e 1/8 së finales në Botërorin e vitit 2018, ndërmjet Anglisë dhe Kolumbisë, shkoi në penallti.

Anglia e kishte fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit në turne të mëdha që kishin shkuar në penallti. Madje Southgate e kishte humbur penalltinë në gjysmëfinalen evropiane të vitit 1996 kundër Gjermanisë, duke u bërë figura tragjike e Anglisë për vite të tëra.

Por, i sigurt në përgatitjen e tij dhe me besim të palëkundur në skuadrën e tij, Southgate shprehu një qetësi që ua transmetoi lojtarëve të tij, të cilët shënuan fitore 4:3 ndaj Kolumbisë.

“Ai ishte shumë i qetë dhe i përgatitur për këtë ndeshje. Ne e dinim se në cilën anë do të gjuanim, pasi ishim përgatitur për të gjithë kundërshtarët shumë më herët. Penalltitë i kishim stërvitur mirë, deri në detaje. Southgate me qetësi kërkoi që të ishim të qetë dhe të gjuanim penalltitë ashtu siç i kishim përgatitur”, kujton Welbeck.

Kështu që në “Euro 2020” Anglia do të futet me synime shumë të mëdha. Të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve Anglia i luan në Londër, një përparësi kjo për ekipin e Southgate. Me qasjen e tij moderne dhe të qetë, Southgate është i vendosur për të përmbushur më në fund pritjet. Pra, ta sjellë trofeun e parë të Kampionatit Evropian në histori të Anglisë.