Xherdan Shaqiri ende nuk ka mbushur 30 vjet, ndërsa i është afruar shifrës së 100 ndeshjeve me Zvicrën. Ai për herë të pestë do të luajë në Kampionat Evropian apo Kampionat Botëror me zviceranët. Në “Euro 2020”, 29-vjeçari Shaqiri pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë të Zvicrës, për të cilën ka luajtur 91 ndeshje dhe ka shënuar 23 gola.
Gazeta e madhe zvicerane, “Blick” ka paraqitur të martën momentet kulmore të Shaqirit në katër ngjarjet e kaluara të mëdha të futbollit.
Botërori 2010 në Afrikë të Jugut – numri 23 për Shaqirin
Në pranverë të vitit 2010, trajneri i Baselit, Thorsen Fink, i besoi 18-vjeçarit Xherdan Shaqiri. Së shpejti edhe selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld i besoi majtakut.
Më 3 mars, “Shaq” debutoi për Zvicrën. Luajti 45 minuta në fitoren 3:1 ndaj Uruguait. Ai u përfshi në ekip për Botëror, vendim që për disa ishte befasues.
“Nuk mund ta përshkruaj atë që ndodhi atë vit. Isha ende djalosh i topave te Baseli dhe ndaja dhomën me vëllezërit. Një vit më herët kisha shënuar golin e fitores në finale të ‘Youth Cup’. Por as që kam ëndërruar atë që ndodhi ndërkohë. Për shkak të Botërorit, testimi i vozitjes është dashur të presë pak”, ka thënë Shaqiri.
Njëmbëdhjetë vjet më parë ka pasur shenja për yllin që po vjen.
“Nuk rrezikoj që të përjashtohem. Gjithnjë qëndroj i qetë, është natyra ime. Mendoj se do të qëndroja i qetë edhe nëse bota shkon drejt fundit”, kishte thënë ai.
Shaqiri ishte shfrytëzuar vetëm 13 minutat e fundit në ndeshjen e fundit në grup, barazimin pa gola me Hondurasin.
Botërori 2014 – “hat-tricku” dhe goli më i shpejtë në histori të botërorëve
E gjithë bota e njohu Shaqirin. Dhe si? Ai shënoi golin më të shpejtë të Zvicrës në histori të kampionateve botërore. Theu një rekord që e mbante Leopold Kielholz që nga viti 1934. Shaqiri shënoi pas gjashtë minutave ndaj Hondurasit.
Në atë ndeshje Shaqiri shtoi edhe dy gola duke kompletuar “hat-trickun”. Jo shumë lojtarë kanë realizuar tre gola në një ndeshje Botërori.
Falë tregolëshit të tij, Zvicra avancoi në raundin e dytë, ku u përball me Argjentinën. Me Lionel Messin dhe të tjerët ndeshja shkoi në 120 minuta. Angel di Maria shënoi për 1:0 në minutën e 118-të. Shumica e 68 mijë shikuesve janë për Shaqirin dhe bashkëlojtarët e tij.
Euro 2016 – Shaqiri shënon golin më të mirë të kampionatit
Gjithnjë do të kujtohet goli i tij. Ishte ndeshja e 1/8 së finales ndaj Polonisë. Ishte minuta e 82-të kur Shaqiri u shkëput dhe me goditje “gërshërë” dërgoi topin në rrjetë. Ai shënoi për 1:1. Goli i ëndrrave është shfaqur vazhdimisht në televizione. Bëhet fjalë për golin më të mirë të atij Evropiani.
Çmimi ishte një trofe. Juria e udhëhequr nga David Trezeguet e shpalli Shaqirin lojtar të ndeshjes.
“Gol shumë i bukur. Por për fat të keq nuk ishte shumë i vlefshëm në fund”, kishte thënë Shaqiri.
Zvicra dhe Shaqiri u eliminuan pas penalltive.

“Botërori 2018” në Rusi – festa e Shaqirit me figurën e shqiponjës
Golashënues ishin Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Shaqiri realizoi në minutën e 91-të golin e fitores. Ata së bashku me kapitenin Stephan Lichtsteiner festuan me figurën e shqiponjës dykrenore. Ishte festë për fitoren 2:1 ndaj Serbisë, pas disavantazhit prej 1:0. Xhaka dhe Shaqiri u gjobitën me nga 10 mijë franga, Lichtsteiner me 5.000. Festa me shqiponjë dykrenore, simbol i shqiptarëve, është mesazh i qartë politik për Shqipërinë dhe Kosovën, kundër Serbisë, shkruan “blick.ch”.
Vetëm Behrami qëndron para Shaqirit
Me paraqitje në “Euro 2020”, Xherdan Shaqiri lë pas vetes një numër të madh lojtarësh që kanë dhënë shumë për Zvicrën, sa u takon paraqitjeve në ngjarje të mëdha. Për Shaqirin është paraqitja e pestë, ndërsa ish-kapiteni, Diego Bengalio, golashënuesi më i mirë, kurse Alex Frei, Blerim Xhemaili, Ludovic Magnin, Philippe Senderos dhe Hakan Yakin kanë nga katër paraqitje në ngjarje të mëdha.
Shaqiri barazohet me Stephan Lichtsteinerin, Tranquiollo Barnettan, Johan Djoroun dhe Gelson Fernandesin.
Vetëm luftëtari Valon Behrami ka më shumë paraqitje në ngjarje të mëdha. Ai për Zvicrën ka luajtur në gjashtë turne të mëdhenj, botërorë e evropianë. Shaqiri mund të barazohet me Behramin në botërorin “Katari 2022”. Behrami është pensionuar nga Zvicra.