Euro 2020

#Profili - Euro 2020: Pas debaklit në vitin 2016, Ukraina synon kalimin e grupit

Kiev, 30 maj - Ukraina është pa fitore qëkur doli fituese kundër Përfaqësueses së Spanjës (1:0) në tetor të vitit të kaluar, në kuadër të Ligës së Kombeve. Përfaqësuesja ukrainase ka barazuar në tri ndeshjet e fundit në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, për të mbetur në pozitën e dytë të Grupit D. Ka vetëm një pikë më shumë se Finlanda – që është e treta në grupin eliminator – por me një ndeshje më pak të zhvilluar, dhe Ukraina duhet të ketë paraqitje të mira në “Euro 2020” dhe ta mbajë atë formë nëse shpreson që vitin e ardhshëm të jetë e pranishme në Botërorin e Katarit. Për dallim prej kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”, Ukraina përfundoi në krye të grupit eliminator për “Euro 2020”.

Ukraina ka marrë pjesë vetëm në dy turne të Evropianit. I pari ishte ai i edicionit 2012, në të cilin ishte bashkënikoqire me Poloninë, dhe hera e dytë ishte në vitin 2016 kur fitoi kundër Sllovenisë në plejof, për të siguruar vend në turneun kontinental.

Përzgjedhësi dhe taktika

Përzgjedhësi i Ukrainës nuk ka nevojë për prezantim, sepse nuk është askush tjetër përveç ish-futbollisti i famshëm dhe ikona kombëtare, Andriy Shevchenko.

Ai u emërua në krye të ekipit pas fushatës zhgënjyese të Ukrainës në “Euro 2016”, që i pa të eliminoheshin ukrainasit në fazën e grupeve. Ukraina u eliminua pa shënuar as edhe një gol të vetëm në tri ndeshje të luajtura.

Para se të niste rolin e trajnerit, Shevchenko u përfshi në politikë, pas tërheqjes nga futbolli aktiv në vitin në 2012. Megjithatë, ai i është kthyer përsëri lojës së bukur dhe deri më tani është treguar njeriu i duhur për ta udhëhequr Ukrainën. Shevchenko ka një stil të veçantë të lojës dhe nuk bazohet vetëm në një sistem të lojës pasi bën rotacione të shpeshta, falë lojtarëve që ka një dispozicion. Ukraina ka një skuadër të mirë dhe me lojtarë cilësorë si Oleksandr Zinchenko dhe Andriy Yarmalenko. Shevchenkos i duhet t’i bëjë bashkë të gjithë për të bërë diçka më shumë në Evropian, në krahasim me herën e fundit.

Ylli i ekipit

Sigurisht se lojtari yll i Ukrainës mbetet mesfushori me tipare sulmuese, Andriy Yarmolenko. 31-vjeçari ka shënuar 38 gola për Ukrainën dhe është vetëm dhjetë gola larg thyerjes së rekordit për më së shumti gola, të cilin aktualisht e mban përzgjedhësi Shevchenko. Përveç kësaj, Yarmolenko ka luajtur në nivelin më të lartë kur bëhet fjalë për futbollin e klubeve. Ai ka luajtur për Borussia Dortmundin gjatë edicionit 2017-18 dhe prej largimit nga ekipi gjerman po bën karrierë në Premier League, te skuadra e West Ham Unitedit.

Aftësia e tij për t’i shndërruar shanset që i vijnë në gola do të ketë një ndikim të madh të Ukraina në “Euro 2020”, pas debaklit në vitin 2016, ku ekipi nuk shënoi asnjë gol në fazën e grupeve. Shevchenko ka besim të madh në Yarmolenkon, i cili është i gatshëm për ta udhëhequr ekipin me golat e tij.

Lojtari i së ardhmes

Lojtari që duhet të shikohet tek Ukraina në “Euro 2020” është mesfushori 22-vjeçar Mykola Shaparenko. Futbollisti i Dynamo Kievit aktualisht është një nga golashënuesit më të rinj në divizionin e parë të futbollit ukrainas. Ai iu bashkua skuadrës së Dynamos në vitin 2015 dhe deri në vitin 2017 luajti me rezervat e klubit. Në vitin 2017, Shaparenko bëri debutimin e tij për ekipin e parë të Dynamos, duke u inkuadruar si rezervist në kohën shtesë kundër FC Zirka Kropyvnnytskyi në “Zirka Stadium”. Vitin pasues ai bëri debutimin e tij për Përfaqësuesen A të Ukrainës me vetëm 19 vjet. Më 31 maj të vitit 2018, në ndeshjen kundër Marokut të luajtur në “Stade de Geneve”, Shaparenko përsëri bëri paraqitje nga pankina. Vitin e fundit ai është shndërruar në një lojtar në të cilin Shevchenko ka besim të madh. Deri më tani, Shaparenko ka shtatë ndeshje me Ukrainën dhe në “Euro 2020” pritet ta shtojë numrin e paraqitjeve.

Bilanci

Ukraina është paraqitur vetëm dy herë në Kampionatin Evropian, 2012 dhe 2016. Në “Euro 2012” u kualifikuan falë bashkorganizimit të turneut dhe nuk pati ndonjë sukses. U eliminua në fazën e grupeve, me vetëm një fitore e dy humbje. Ukraina prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik nuk ka pasur sukses pasi nuk ka arritur të kualifikohet në katër evropianë (1996, 2000, 2004, 2008). Ndërkohë, në Evropianin e vitit 2016 u kualifikua por i humbi të gjitha ndeshjet dhe kjo rezultoi me shkarkimin e menjëhershëm të përzgjedhësit Mykhalo Formenko. Bashkimi Sovjetik e ka fituar një titull të Evropës, triumfoi në turneun e parë të mbajtur në vitin 1960. Ndërkohë, në tri raste pati përfunduar nënkampion i Evropës (1964, 1972, 1988).

Gjasat

Ukraina është në Grupin C të “Euro 2020”, grup që gjithashtu përbëhet nga Holanda, Austria dhe Maqedonia e Veriut. Si i tillë, është një grup relativisht i favorshëm për ukrainasit, të cilët mund ta synojnë pozitën e dytë në grup dhe për herë të parë të avancojnë përtej fazës së grupeve. Austria do të jetë konkurrente e fortë e Ukrainës për pozitën e dytë, por përzgjedhësi Andriy Shevchenko është i vendosur për të arritur suksesin për herë të parë në historinë e futbollit ukrainas – të kualifikohet në fazën e nokautit në Kampionatin Evropian.

 *****

Lista e Ukrainës për Evropian

Portierë: Andriy Pyatov, Andriy Lunin, Heorhiy Bushchan, Anatoliy Trubin

Mbrojtës: Mykola Matviyenko, Oleksandr Karavayev, Serhiy Kryvtsov, Eduard Sobol,Vitaliy Mykolenko, Illya Zabarnyi, Viktor Korniienko, Denys Popov, Oleksandr Tymchyk, Oleksandr Syrota, Bogdan Mykhaylichenko

Mesfushorë: Andriy Yarmolenko,Yehven Konoplyanka, Oleksandr Zinchenko,Ruslan Malinovskyi, Serhiy Sydorchuk, Viktor Kovalenko, Marlos, Yevhen Makarenko, Mykola Shaparenko, Volodymyr Shepelyev, Viktor Tsygankov, Vitaliy Buyalskiy, Oleksandr Zubkov, Taras Stepanenko, Heorhii Sudakov, Oleksandr Andriyevskiy, Bogdan Lednev, Artem Bondarenko

Sulmues: Roman Yaremchuk, Artem Dovbyk, Artem Besedin

*****

Ndeshjet e Ukrainës në “Euro 2020”

13 qershor: Holanda – Ukraina (21:00, Amsterdam)

17 qershor: Ukraina – Maqedonia V. (15:00, Bukuresht)

21 qershor: Ukraina – Austria (18:00, Bukuresht)

Përktheu: Tahir Sopi