Euro 2020

#Profili - Euro 2020: Pas mungesës në “Euro 2016”, Holanda e motivuar për ta dëshmuar veten

Foto: AP
 

Dekada e kaluar ka qenë, për ta thënë butë, një katastrofë absolute për Përfaqësuesen e Holandës. Pasi befasuan shumë me paraqitjen e tyre të fortë në Botërorin e vitit 2014 ku përfunduan në pozitën e tretë, vitet pasuese kanë shkuar tejet keq për holandezët. Guus Hiddink dhe pastaj Danny Blind nuk mundën ta drejtonin Holandën në “Euro 2016”, pasi “tulipanët” nuk arritën të kualifikohen në këtë ngjarje për herë të parë që nga viti 1984. Për t'i bërë gjërat edhe më keq, Blind u shkarkua gjatë kualifikimeve të Kampionatit Botëror “Rusia 2018” dhe përzgjedhësi i ri, Dick Advocaat, nuk arriti që Holandën ta kualifikojë edhe një herë në një ngjarje tjetër të madhe.

Ronald Koeman mori ekipin dhe përparoi paksa duke arritur në finalen e Ligës së Kombeve të edicionit 2018/19, para se të humbte nga Portugalia. Vitin pasues, Holanda nuk arriti të avancojë nga grupi, dhe në fund të vitit 2020, Federata e Futbollit të Holandës njoftoi se kishte angazhuar ish-mbrojtësin, Frank De Boer, për ta udhëhequr përfaqësuesen. Duke pasur parasysh gjithë këtë trazirë për më shumë se pesë vjet dhe një përzgjedhës të ri që ka pasur një fillim më pak se bindës, mbetet të shihet se çfarë do të jetë në gjendje të ofrojë Holanda që rikthehet në Kampionatin Evropian.