Euro 2020

#Profili - Euro 2020: Danimarka synon ta shfrytëzojë rolin e autsajderes për të befasuar sikur në vitin 1992

FOTO: AP
 

Danimarka arriti të sigurojë pjesëmarrjen në “Euro 2020” duke u kualifikuar si e dyta nga Grupi D. Vendi skandinav e humbi pozitën e parë në grup vetëm për një pikë të vetme, por ishte këmbëngulës për t’u kualifikuar në turneun e madh të Evropës. E pikërisht kjo këmbëngulësi duhet t’i shërbejë Danimarkës edhe në “Euro 2020”, nëse dëshiron të lërë gjurmë.

Në Evropianin i cili nis më 11 qershor, Danimarka do të futet me synime të mëdha. Por do të jetë e vështirë për futbollistët që të përsëritin suksesin e vitit 1992. Atëbotë Danimarka ishte plotësisht autsajdere e turneut, pasi fillimisht nuk arriti të kualifikohej për t’u ftuar pas dhjetë ditësh që ta zëvendësojë Jugosllavinë që u diskualifikua pas shpërbërjes si shtet. Atë ftesë speciale Danimarka e shfrytëzoi për ta shkruar përrallën më të mirë të futbollit në Evropë, duke u shpallur kampione. Mirëpo, a mundet gjenerata aktuale të ndjekë gjurmët e Peter Schmeichelit, Brian Laudrupit e Henrik Larsenit, mbetet të shihet në “Euro 2020”.