Arbëri

Komuna paralajmëron qytetarët që shfrytëzojnë operatorët ilegalë të transportit publik

Komuna e Prishtinës thotë se tashmë kanë nisur të vërehen efektet e para të përmirësimit të transportit publik.

Ndërmarrja “Trafiku Urban”, sipas Komunës, nga një ndërmarrje pranë falimentimit, me borxhe të thella jo vetëm ndaj punëtorëve, për tri vite qeverisje është rikthyer në ndërmarrje të suksesshme që iu shërben qytetarëve.

“Në linjat 4 dhe 1 janë sistemuar 30 autobusët e rinj, dhe sapo të vinë edhe 21 të tjerë do të mbulohet edhe linja 3. Tashmë, kualiteti i shërbimeve është rritur, me ç'rast transporti publik po bëhet tërheqës për qytetarët”, thotë Komuna në këtë njoftim, raporton Koha.net.

“Duke iu falënderuar të gjithë qytetarëve për ndihmën që kanë dhënë dhe po japin për zhvillime të tilla pozitive në Prishtinë, iu bëjmë thirrje që të heqin dorë nga transporti ilegal, ashtu që ta fuqizojmë edhe më shumë, edhe më shpejtë, ndërmarrjen tonë publike”, potencon Komuna.

Komuna thotë se Drejtoria e Inspekcionit është vazhdimisht në terren duke krijuar kushte për punë të mëtutjeshme të “Trafikut Urban”, “dhe do të ndërmarrim masa ndaj çdo operatori ilegal që e hasim, si dhe ndaj qytetarëve që shfrytëzojnë operatorët e tillë”.