Support TIME. Preserve the truth.
OpEd

Why can't children's mental health wait?

Çdo nëntë minuta, diku në botë, një adoleshent i moshës 15–19 vjeç humb jetën nga vetëvrasja.

Edhe duke marrë parasysh kufizimet e të dhënave, mesazhi është i qartë. Vetëvrasja është ndër
shkaqet kryesore të vdekjes tek adoleshentët e grupmoshave më të mëdha. Në nivel global, 1 në 7
adoleshentë të moshës 10–19 vjeç jeton me një çrregullim të shëndetit mendor.

Pas çdo shifre qëndron një familje, një shkollë dhe një komunitet që pyesin se çfarë mund të ishte
bërë. Vetëvrasja rrallë shkaktohet nga një faktor i vetëm. Presioni për rezultate në shkollë, vetmia,
rrethanat familjare, dhuna, diskriminimi dhe varfëria kanë që të gjitha ndikimin e tyre. Kjo është
edhe arsyeja pse ajo mund të parandalohet dhe pse parandalimi është përgjegjësi e të gjithëve ne.

Ne e dimë se çfarë funksionon. Raportimi i përgjegjshëm në media, zhvillimi i aftësive për jetën tek
fëmijët dhe adoleshentët, mbështetja e hershme dhe përcjellja e vazhdueshme e personave në
rrezik, si dhe programet shkollore për shëndetin mendor që trajtojnë ankthin dhe depresionin janë
disa prej masave që japin rezultate. UNICEF-i vlerëson se çdo vit humben 387,2 miliardë dollarë në
kontribut të mundshëm në ekonomi për shkak të çrregullimeve të shëndetit mendor që çojnë në
aftësi të kufizuara ose vdekje tek të rinjtë.

Kosova është pjesë e këtij realiteti. Me më shumë se 423 000 fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe me një
nga popullsitë më të reja në Evropë, e ardhmja e saj varet nga mirëqenia e tyre. Në gusht të këtij
viti, Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës dhe UNICEF-i, në partneritet me Zyrën e
Kryeministrit, prezantuan një hartëzim të shërbimeve të shëndetit mendor dhe të mbështetjes
psikosociale për fëmijët dhe adoleshentët. Ai evidenton rritje të ankthit, depresionit, traumës,
bullizmit, përdorimit të substancave dhe rreziqeve në mjediset digjitale.

Gjetja që kërkon vëmendjen më urgjente lidhet me nxënësit e moshës 15 dhe 16 vjeç: përqindja e
atyre që raportuan se kishin tentuar vetëvrasjen u rrit nga 3,4 për qind në vitin 2011 në 10,0 për
qind në vitin 2024. Këto nuk janë shifra abstrakte. Janë fëmijë, vëllezër e motra, nxënës, fqinjë.

Ndihma ekziston, por qasja në të është e vështirë. Familjet i përjetojnë shërbimet shëndetësore, të
arsimit dhe mbrojtjes sociale si të fragmentuara. Mungojnë shërbimet publike të specializuara dhe
shumë shkolla nuk kanë mbështetje të mjaftueshme psikologjike. Fëmijët me aftësi të kufizuara,
fëmijët nga komunitetet në situata të cenueshme dhe ata që jetojnë në varfëri ose në zona rurale
përballen me pengesa shtesë.

Kosova ka pika të forta mbi të cilat mund të ndërtojë një kuadër të fortë për të drejtat e fëmijëve,
profesionistë të përkushtuar, vendimmarrës me vullnet të mirë dhe shoqëri civile aktive. Raporti
ofron një udhërrëfyes të qartë, një mekanizëm kombëtar koordinimi, një plan veprimi për shëndetin
mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve me financim të siguruar, rrugë më efikase referimi, më
shumë shërbime në shkolla, vlerësim i hershëm për shëndetin mendor në kujdesin shëndetësor
parësor dhe të dhëna më të mira.

Institucionet nuk mund ta bëjnë këtë të vetme. Secili prej nesh mund ta dëgjojë një fëmijë pa e
gjykuar, ta marrë seriozisht shqetësimin e një miku apo kolegu dhe të flasë për shëndetin mendor,
duke mos u stigmatizuar. Mediat mund të raportojnë me kujdes, duke shmangur sensacionalizmin
dhe duke treguar se ndihma dhe rikuperimi janë të mundshme. Ndërsa të rinjtë, të cilët i njohin më
mirë nevojat e tyre, duhet të marrin pjesë në hartimin e zgjidhjeve.

Sot, në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, le të kalojmë nga ndërgjegjësimi në veprim. Çdo fëmijë
ka të drejtën të gëzojë standardin më të lartë të arritshëm të shëndetit, përfshirë shëndetin
mendor. Le ta bëjmë këtë të drejtë realitet për çdo fëmijë në Kosovë.

Veronika Vashchenko është shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.