Support TIME. Preserve the truth.
Culture Supplement

Love and sorrow in Albanian Toplica in the late 1800s

Kulla e Dilaver beut në Vuçje të Leskovcit

Kulla e Dilaver beut në Vuçje të Leskovcit

Ngjarja kryesore në novelën “Dashuri dhe pikëllim në Toplicë” – Prishtinë 2025, botues “Botime Koliqi” , 112 faqe – është e lidhur me familjen shqiptare të Vujnovëve, me origjinë nga fshati Vujnovë apo Vojnovë nga Pusta Reka. “Pas dëbimit nga Pusta Reka, pasardhësit e kësaj familjeje u vendosën në Mitrovicë. Pra, ngjarja zhvillohet në raportin pushteti osman - shqiptarët vendorë, më saktësisht, të familjes së Mulla Halimit, kreut të shqiptarëve të kësaj krahine me kreun e Pashallëkut të Leskovcit, Shemsi Pashën. Personazhi më tragjik në këtë ngjarje është e reja stambollase, Fatih Sulltana, të cilën fati apo sjelljet jo të mira të të atit të saj, Hafiz Ahmetit, e sjellin në Prokuplen shqiptare të asaj kohe dhe më pastaj, edhe familja shqiptare Halimi, së cilës i vritet djali i vetëm, Ismail Beu. Beun e ri shqiptar, të dashurin dhe bashkëshortin e ardhshëm të Fatih Sulltanes, e vrasin njerëzit e urdhëruar prej vetë pashait

Para se të merremi me analizën pak më të detajuar të novelës “Dashuri dhe pikëllim në Toplicë”, fillimisht do t’i ofrojmë lexuesit imazhe të Leskovcit, si qendër e pushtetit të asaj kohe, të Prokuples që atëbotë frymonte dhe fliste shqip dhe për të dhënat mbi Pusta Rekën e pastruar etnikisht, pas luftërave të viteve 1876 - 1878. 

“Shtëpitë e mirëmbajtura, të mbuluara me pllaka guri..., kopshtet e rregulluara mirë, rrethuar me gjerdhe lisi dhe me pemë frutore, perime e madje edhe lule, arat e pastra pa barëra të egra, të mbuluara aty-këtu me grumbuj plehu, ishin tregues të punës së palodhur të banorëve, çka na krijoi një përshtypje tjetër nga ajo që kishim dëgjuar në Nish dhe Prokuple, dhe më vonë edhe në Leskovc e Vranjë. Ajo që pamë nga tri pjesët e Statofcës, prej të cilave njëra është Kurshumlia, e dyta Prokupla dhe e treta Leskovci, kufijtë e rretheve të të cilave puqeshin këtu, na e la po të njëjtën përshtypje, edhe pse banorët e saj njihen ndër shqiptarë si njerëz shumë të ashpër, që duan vetëm gjuetinë dhe plaçkitjen. Gjatë gjithë udhëtimit tonë nuk gjetëm asnjë hambar gruri aq të mbushur sa në fshatin shqiptar, Zhini Potok, banorët me kuaj të të cilit na dolën në rrugë dy orë më përpara. Mes kuajve të tyre ishin disa hamshorë me bukuri të pashoqe, që e shfaqnin artin e tyre me një saktësi dhe qartësi befasuese”, janë përshtypjet e albanologut dhe konsullit, Johan Georg von Hahn, 1811 – 1869, të vjeshtës së vitit 1858, kur ai i vizitoi këto vise. 

Ndërsa në qendrën kryesore administrative të pashallëkut në Leskovc vetëm pesëmbëdhjetë vjet para se Hahn ta vizitojë këtë qendër, përfaqësuesit e familjeve të njohura leskovcase visheshin me modën e fundit shqiptare. 

“Grupi ynë, përveç meje dhe artileristit, përbëhej edhe prej Beqir Agës dhe dy vëllezërve të tij, njëri prej të cilëve ishte një djalë njëzetepesëvjeçar, i gjatë dhe i bukur, i veshur në modën shqiptare…”, ka shkruar gjeologut britanik, Warington Wilkinson Smyth (1817 -1890), në librin e tij “Një vit me turqit, ose skica të udhëtimit në vendet Evropiane dhe Aziatike të Sulltanit“, të botuar në vitin 1854, në New York. 

Krahas autorëve të huaj, meritë të veçantë në paraqitjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të viseve të sipërpërmendura pa dyshim se ka edhe autorja Jelena Jov. Dimitrijeviq (1862-1945) dhe novela e saj “Fatih Sulltana” që u botua si fejton në vitet e 1900-a, e më pastaj në vitin 1907 si libër më vete

Dhe, siç e cekëm më lart, gjurmët shqiptare nisën të zhbëheshin në luftërat e zhvilluara në vitet 1876 - 1878, atëherë kur Gadishulli Ballkanik u konfigurua duke u mbështetur në marrëveshjet ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha. 

“Sipas rezultateve të regjistrimit të popullatës së Pusta Rekës të vitit 1879, ishte paraqitur kjo gjendje: në të dyja këto regjione kishte pasur 112 fshatra me 1 mijë e 539 shtëpi shqiptare, 638 serbe dhe 60 rome. Gjithsej kishin qenë 2 mijë e 237 shtëpi”, janë të dhëna të burimeve serbe dhe ato duhen marrë me shumë rezerva, sepse, siç dihet, regjistrimet e popullsisë në kohën e Perandorisë Osmane, por edhe më vonë, kanë qenë mjaft të mangëta. Kuptohet se gjurmë shqiptare të vendbanimeve të tyre jo vetëm në emërtime, por edhe në kulturën e ndërtimit në ato vise mund të hasen edhe sot e kësaj dite përkundër tragjedive që kombi shqiptar i përjetoi atje. 

Një ngjarje e vërtetë 

Kështu, krahas autorëve të huaj, meritë të veçantë në paraqitjen e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të viseve të sipërpërmendura pa dyshim se ka edhe autorja Jelena Jov. Dimitrijeviq (1862-1945) dhe novela e saj “Fatih Sulltana” që u botua si fejton në vitet e 1900-a, e më pastaj në vitin 1907 si libër më vete. Dimitrijeviq ka qenë autore romanesh, tregimesh të shkurtra, udhëpërshkrimesh e të tjera. Ajo u lind në vitin 1862 në qytetin e Krushevcit, në një familje tregtare. Pas martesës, në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, u zhvendos të jetonte në Nish, dhe në këtë qytet, falë Myftiut Ibrahim-efendiut, ajo mësoi gjuhën dhe zakonet turke (shqiptare – S. L). Por Jelena Jov. Dimitrijeviq nuk u mjaftua me kaq; duke mësuar këto zakone dhe tradita, ajo ia hapi vetes dyert kudo që trokiste në shtëpitë shqiptare apo turke. Njohuritë e saj u pasuruan sidomos me udhëtimet që ajo ndërmori drejt Shkupit, Selanikut, por edhe Kostandinopojës. Krijimtaria letrare e Jelenës Jov. Dimitrijeviq bën pjesë në traditën orientale, me theks të veçantë mbi pasqyrimin e patriarkalizmit ballkanik. Që nga viti 1898 ajo u shpërngul të jetonte në Beograd ku edhe vdiq në vitin 1945.

Vetë autorja Dimitrijeviq ka shkruar se ngjarja që ajo e ka paraqitur në novelën “Fatih Sulltana” është zhvilluar në Prokuplen shqiptare dhe në Arnautllëk. Por, se ngjarja vërtetohet më vonë flasin edhe dëshmitë që kjo autore i bën të njohura në fund, kur shkruan se “dhjetë vjet më parë, në Mitrovicë, një djalosh shqiptar e vrau qatipin e ri, Hasan Beun, një stambollas i lindur. Askush nuk e dinte pse shqiptari e vrau qatipin, por të gjithë e dinin se qatipi i ri nuk i kishte bërë asgjë. Më vonë u mor vesh se shqiptari i ri ishte djali i një plaku që pas luftës kishte emigruar nga Toplica. Ai ishte nga familja e Vojnjakëve, ndërsa qatipi i vrarë ishte nipi i Bali Beut, stërnipi i Shemsi Pashës së Leskovcit. Edhe pse kishte kaluar gjysmë shekulli e më tepër, pra gjaku i të birit Ismail Beut, kryeparit të Vojnjakëve, nuk ishte shlyer, prandaj më në fund ai u nxor në Mitrovicë”

Rrënimi i xhamisë së fundit në Leskovc

Dhe, për t’i kuptuar më mirë rrethanat në Prokuplen shqiptare të Jelena Jo.v. Dimitriheviq, prapë në ndihmë në vjen konsulli austriak, Hahn. “...Vargmali duket se është degëzimi i vetëm që vazhdon nga mali Jastrebac drejt jugut, në drejtim të rrjedhës së poshtme të Toplicës, gjë që e pamë vetë kur po udhëtonim nga Prokopla në Kurshumli, pranë Hanit të Tullarës, ku u ndalëm dhe u kthyem të shihnim në perëndim – i njëjti vargmal vinte nga Jastrebaci dhe ngrihej në jug drejt kodrave të Prokuples. Prandaj, nuk ka nevojë t’i themi lexuesit se pjesa jugore e vargmalit të Jastrebacit është e pjerrët dhe shkëmbore. Në Prokuple u bindëm për saktësinë e të dhënave të marra në Nish, që jo vetëm qytetet Prokuple dhe Kurshumli, por i gjithë rajoni i Toplicës, përveç zonave të grykëderdhjes dhe burimeve të saj, banohet masivisht nga shqiptarët dhe se ata mbulojnë tërë shpatin jugor të vargmalit të Jastrebacit, deri në kufirin serb që shtrihet në kreshtën e tij. Me këtë rritje, kufiri etnografik i Shqipërisë shtyhet gjysmë gradë më në veri dhe shqiptari, si në perëndim, ashtu edhe këtu në lindje, bëhet fqinji i drejtpërdrejtë kufitar i serbëve. Ne qëndruam dy ditë në Prokuple, të cilin shqiptarët e quajnë Urkup... Qyteti është vendi më i rëndësishëm në rajonin e Toplicës dhe ka 500 shtëpi turko-shqiptare, 300 shtëpi serbo-krishtere, 10 shtëpi hebrenjsh e 20 shtëpi rome dhe mund të ketë mesatarisht 4-5 mijë banorë. Ai ndodhet mes një gryke, përmes së cilës duhet të kalojë Toplica përpara se të arrijë fushën dhe të shtrihet nga bregu i saj verior deri në kodrën që shoqëron lumin, mbi shpatet jug-perëndimore të së cilës gjenden vreshtat e shumta të qytetit”. 

Besa shqiptare dhe imazhet e paargumentuara mirë 

Dhe pas një nate me hënë, në mëngjesin e hershëm, pas takimit të parë të të rinjve të fejuar, shqiptari Ismail Beu ia jep besën shqiptare stambollases Fatih Sulltanes se është i gatshëm që për të ta flijojë edhe jetën, e në të njëjtën mënyrë ia kthen edhe stambollasja e bukur. Mirëpo, kur Ismail Beu niset të kthehet në Toplicën e tij, besëlidhja fundoset përfundimisht. 

“Bam. Bam. U dëgjuan disa pushkë duke vjellë flakë nëpër frëngjitë e Sarajit të Prokuples (ndërtesës së gjyqit), pranë të cilit në ato çaste po kalonte Ismaili, duke ëndërruar natën e parë të martesës. Prokupla e shurdhër dhe e vdekur jehoi nga të katër anët dhe Ismaili ra nga ati, pa mundur ta thoshte asnjë fjalë të vetme. U dëgjua vetëm britma e atit të tij që dukej sikur të kishte ngelur pa kokë dhe përsëri jehoi Prokupla e shurdhër dhe e vdekur... Ati hingëlliu edhe një herë mbi zotëriun e tij të vdekur, përpara se të ngrinte kokën dhe të fluturonte, sikur të kishte fituar krahë, drejt Arnautllëkut, që sa më shpejt të ishte e mundur t'ua çonte haberin e zi prindërve, nënës së pikëlluar të Ismail Beut...” (fq. 19). Por, nuk ishte kjo e vetmja goditje për Mulla Halimin, të atin e Ismail Beut, sepse ai e humbi edhe bashkëshorten, e cila nuk mundi ta mbijetonte vrasjen e të birit. Duke e njohur mirë të drejtën zakonore të shqiptarëve, autorja Dimitrijeviq në zhvillimin e mëtutjeshëm të ngjarjes e zhvendos në një plan tjetër, atë të degradimit dhe të turpërimit të pushtetit. 

“Shemsi! Për pikëllimin tim, ti do ta kesh turpin” (fq. 26) - është paralajmërimi i të atit të Ismail Beut. Përveç këtij “kërcënimi”, autorja i “hyn në hak” të atit të Ismail Beut, Mulla Halimit, sepse ia atribuon atij titullin fetar “mullë”, pa e dëshmuar me asnjë rresht apo fjalë apo veprim të këtij personazhi me çfarëdo qoftë që i përket planit fetar, shtuar këtu edhe thirrjet e shqiptarëve të revoltuar, të cilët në asnjë nga kapituj e novelës nuk paraqiten në imazhet karakteristike të riteve islame. Ajo që bie në sy më së shumti është se autorja e ka forcuar dhe ngritur personalitetin dhe autoritetin e këtij burri shqiptar, Mulla Halimit, pikërisht duke u mbështetur në të drejtën zakonore shqiptare. Përkundër që ajo herë pas here i paraqet shqiptarët si anarkistë, megjithatë toplicasit në imazhet e paraqitura prej saj janë burra të vendosur në anën e së drejtës dhe të realizimit të veprimit autonom të tyre, por edhe të barazisë sociale. 

“Pasha, kjo nuk është parajsa, këta janë shqiptarët dhe të paktën është një ditë në vit kur ata nuk ia kanë frikën as Padishahut. Dhe, Pasha, këta nuk janë turq, por shqiptarë, e punojnë tokën, e rrisin bagëtinë dhe e mbajnë besën. Besa për shqiptarin është më e vlefshme se njëqind be të një turku” (fq. 55). 

Imazhe nga koha e dëbimeve 

Grabitja dhe “martesa” e Mulla Halimit dhe hakmarrja e Fatih Sulltanes 

Në leximin fillestar novela “Dashuri dhe pikëllim në Toplicë” bëhet e “neveritshme” jo me veprimin e grabitjes së Fatih Sulltanes nga ana e Mulla Halimit, një natë para se ajo të martohej për të birin e Shemsi Pashës, por në çastin kur lexuesi e kupton që kryepari i shqiptarëve e përhap lajmin se do “të martohet” me ish-të dashurën, por edhe nusen e të birit të vrarë. Për fat të mirë, menjëherë pas këtij veprimi pason justifikimi i kësaj “martese”, pasi autorja e bën me dije se “kjo nuk u bë nga shfrenimi, por për hakmarrje. Sepse Mulla Halimi ia ka dhënë besën vetvetes që pikëllimin e tij do t’ia kthejë pashait me turp... (fq. 58) Sikur të mos ishte Mulla Halimi, atë do ta çonin në haremin e pashait, fytyrën e saj do ta puthte i biri i Pashës dhe pastaj... A duhej që Fatih Sulltana ta lejonte këtë? Apo nëse do të kishte qenë e vetëdijshme dhe do t’i kishte dhënë përgjigje të autorizuarit se nuk e donte të birin e Pashait? ( fq. 58 - 63) Kështu në rrjedhën e ngjarjeve, atëherë kur Fatih Sulltaneja nis ta marrë veten pas tronditjeve dhe në të nisi të vepronte instinkti i hakmarrjes. Mirëpo, qëndrimin në Toplicë ajo e pranon krahëhapur, sepse ngado që sillej, ndeshej me gjithçka që dikur i përkisnin të dashurit të saj, Ismail Beut. 

“Me kthimin në jetë, ajo mendoi ngadalë se këtu do të ishte në gjendje të mendonte lirisht dhe vazhdimisht për Ismailin, se do të jetonte në kullën ku ka jetuar Ismaili, se do të ecte nëpër fushën e njëjtë nëpër të cilën ka ecur Ismaili, se do të shikonte Jastrebacin e lartë dhe brigjet e mbjella, të cilat me sytë e tij i ka shikuar Ismaili, se do të ishte pranë bregut të pyllëzuar në majë të të cilit gjendet varri i Ismailit, se do të kujdesej për babin e Ismailit, se do të përkëdhelte langoin dhe skifterin e Ismailit, se do t’i puthte rrobat e Ismailit, se do të qante mbi armën e Ismailit, mbi mollëzën e stolisur të armës së vogël, ku ai e vendosi dorën kur ia dha besën Fatih Sulltanes. Dhe kështu, me majat e gishtërinjve të saj delikatë ajo e preku vendin në fytyrën e saj ku Ismaili e kishte prekur, pastaj i puthi gishtat, gjatë dhe me pasion... Oh, sa shumë ajo e donte veten tani, sepse Ismaili e donte atë.... (fq. 66) 

Ndërsa në planet e saj për t’iu hakmarrë Shemsi Pashës, ajo nisej nga një premisë e të atit të saj aspak autoritativ, Hafiz Ahmetit. 

“‘Kur do të hakmerresh ndaj dikujt, përpiqu ta turpërosh’, këtë e kishte dëgjuar nga i ati, shumë herë. Siç ishte e qetë dhe e sjellshme, e mëshirshme për të gjithë, kur dikush e ofendonte, ajo i ngrinte sytë drejt qiellit dhe thërriste: ‘Allah!’ Kështu Fatih Sulltana nisi dalëngadalë të zgjohej prej gjumit të thellë... Dhe për një moment, ajo e kujtoi porosinë e nënës së Ismailit: ‘Nëse nuk gjendet kokë burri për ta marrë hakun e Ismailit, atëherë hakun le ta marrë një grua’” (fq. 64). 

Në zhvillimin përfundimtar të ngjarjes, autorja Jelena Jov. Dimitrijeviq e bën “kërcënimin” e radhës, ngase hakmarrja në rrethanat ballkanike nënkupton së paku vrasjen e armikut apo ndonjërin prej familjarëve të tij, ndërsa Fatih Sulltana për vrasjen e të dashurit i hakmerret Shemsi Pashës, duke e turpëruar atë dhe pushtetin e tij, gjë që është njëfarë unifikimi bashkëveprues me Mulla Halimin. 

“Çoi selam Shemsi Pashë xhelatit – prej mullait: se ai dëshiron të ketë pasardhës... nga... Fatih Sulltana. Dhe selam Shemsi Pashës, xhelatit: nusja jo e divorcuar e birit të tij dhe prej tjetrit… pasardhës. Dhe selam Shemsi Pashës, xhelatit dhe thoni se sot ia ka ngjitur katranin në ballë e fytyrë nusja e Ismailit Beut të birit të Mulla Halimit…” (fq. 119-120) 

Renegatët dhe ndihma e Pashait të Shkodrës 

Sipas dëshmive, Shemsi Pasha ishte pasardhës i Ismail Pashës që i përkisnin familjes së njohur të Bushatlinjve të Shkodrës. I ndodhur në një pozitë shumë të vështirë, turpërimit të radhës nga Fatih Sulltaneja, Shemsi Pasha u detyrua të kërkojë ndihmë te Pashai i Shkodrës, i cili me të mbërritur në Toplicë, iu drejtua Mulla Halimit: 

“Ti nuk iu ke hakmarrë Shemsi Pashës ashtu siç hakmerren shqiptarët. Pra, gjithkush ka pritur se ti do t’ia vrisje të birin, e të mos e bëje atë që e ke bërë” (fq. 124). Mirëpo, duke u ngelur besnik tipareve shqiptare, Mulla Halimi tërbohet në çastin kur nga goja e Pashait të Shkodrës dëgjon fjalët se Ismail Beun, pra të birin, ia kishin vrarë haramxhinjtë” (fq. 125). 

“Kur kam qenë i vogël, sytë e tu ishin sikurse një libër për mua, i shkruar në gjuhën shqipe: tani e shikoj atë libër dhe nuk kuptoj asgjë. A është lexuar ai libër aq sa shkronjat janë dëmtuar apo unë jam plakur sa që nuk shoh asgjë?” (fq. 126) – ishin fjalët e Pashait të Shkodrës, i cili përpiqej t’i mbante nën kontroll emocionet e Mulla Halimit që ishte thelluar në heshtje, por që vlonte nga brenda. Përveç tjerash, neveria dhe urrejtja e shqiptarëve ndaj Shemsi Pashës vinte edhe për faktin se në ambientin privat ai nuk e fshihte identitetin shqiptar, mirëpo në përgjithësi, në sytë e Mulla Halimit, por edhe të bashkëkombësve të tij, ai mbetej vetëm një renegat. 

Është interesante se përgjigjja përfundimtare e Mulla Halimit ndaj Pashait të Leskovcit, megjithatë mbështetet mbi premisat e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Kjo vjen në shprehje sidomos kur Pashai i Shkodrës ia shpalos atij mënyrën se si Shemsi Pasha dëshiron “t’i lahet” kryeparit të shqiptarëve: “Dëgjo, mik! E solle një selam për mua nga Shemsi Pasha. Çoi selam Shemsi Pashës prej meje: nëse do të doja para për gjakun e djalit tim, do të merrja aq sa merret për një gjak: një mijë groshë dhe asnjë qindarkë më shumë! Unë nuk jam tregtar, as shitblerës i gjaku të të birit tim, ndërsa ai bën pazar për atë gjak. Në vend të groshëve të bakrit, ai më ofron lira ari për të, turp të ketë! Dhe ai ma ofron mallin e tij, konakët, çifligjet, kuajt, turp të ketë. Dhe prapë turp të ketë! Dhe turp të ketë përsëri! - gjëmoi Mulla Halimi, duke e çliruar gjoksin. Çfarë janë konakët, çfarë janë çifligjet, çfarë janë kuajt? Sikur të më kishte çuar si selam tapinë e Stambollit me Saraj-Burnën e tij, ku është saraji i Sulltan Mahmudit, me Atmejdanin, ku vdiqën jeniçerët, me xhaminë e Sulltan Ahmedit, ku mbahet Sanxhaxhi-Sherifi, me Aja Sofinë, me tyrbet, me teqetë dhe tapinë e Shamit, diamantet e Sirisë dhe tapinë e Smirnës, ballin e Anadollit, unë prapë do të thosha: ‘Turp të ketë!’ Ne këtu në Toplicë, nën Jastrebac, jo, nuk e bëjmë atë. Ne këtu në Toplicë i japim një mijë groshë për gjakun e birit të një mullai, njëjtë sikur për gjakun e një njeriu më të varfër” (fq. 128-129)”. 

Edhe pse autorja Jelena Jov. Dimitrijeviq në fund e ka paraqitur edhe informacionin se pasardhësit e Mulla Halimit pas vendosjes së tyre në Mitrovicë e kanë marrë gjakun e Ismail Beut, me rastin e vdekjes së Fatih Sulltanes, ajo e ka paraqitur edhe një personazh, e cila vuante për shkakun se nuk u la të hakmerrej. 

“Dhe motra e Ismailit qan, vajton, është e zemëruar me të atin, Mulla Halimin, i cili i ka ‘lidhur’ asaj duart dhe këmbët, në mënyrë që ajo të mos mund t’i hakmerrej Shemsi Pashës si për vëllain e saj, ashtu edhe për nusen e saj të pafat” (fq. 146). 

Në fund, mund të themi se, edhe pse në novelën “Dashuri dhe pikëllim në Toplicë” autorja nuk ka mundur t’u ikë kurtheve tashmë të njohura të paraqitjes së shqiptarëve “si elementë të pabindur dhe rrënues të paqes osmane”, megjithatë përshkrimet, zakonet, mënyra e jetesës, veshmbathja, stolitë dhe detajet e tjera të paraqitura mbi jetën e shqiptarëve të viseve të dikurshme të Arnautllëkut vetëm se e pasurojnë trashëgiminë historike, por edhe kulturore të shqiptarëve që dikur e kanë populluar atë krahinë.