Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

In addition to 107 murders, 20 Serbs are also accused of looting and expulsion.

Special Prosecutor's Office of Kosovo

Photo: Driton Pacharada

Aktakuza e Prokurorisë Speciale për 20 të pandehurit në mungesë për krime lufte në Gjakovë, tregon në detaje se si janë ekzekutuar 107 civilë, dhe si ka ndodhur plaçkitja në këtë komunë, e edhe dëbimi i banorëve për në Shqipëri. Dokumenti të cilin e ka siguruar KOHA, tregon edhe identitetin e të akuzuarve, në mesin e të cilëve është edhe Milan Radoiçiq

Në maj të vitit 1999, për tri ditë radhazi, në Gjakovë u zhvillua një operacion i forcave serbe, gjatë të cilit u vranë 107 civilë shqiptarë.

Për këtë rast, javën e kaluar Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, në mesin e të cilëve është edhe i akuzuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Në aktakuzën e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KOHA thuhet se të pandehurit në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”, të uniformuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme, i kanë rrahur, maltretuar e më pas vrarë civilët shqiptarë.

“Nën kërcënimin e armëve, u detyruan të largoheshin në drejtim të lokacionit të njohur si ‘Ura e Taliqit’. Gjatë kësaj lëvizjeje të detyruar nëpër rrugët e qytetit, nëpër shtëpi dhe oborre të ndryshme, si dhe në lokacionin tek ‘Ura e Taliqit’, këta pjesëtarë të forcave serbe kanë vrarë një numër të madh civilësh, kryesisht shqiptarë, me ç’rast një pjesë e viktimave janë varrosur në varrezat e qytetit të Gjakovës, ndërsa pjesa tjetër janë marrë dhe për fatin e tyre nuk është ditur deri pas përfundimit të luftës, kur janë gjetur në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, çka dëshmon për përpjekjet e organizuara dhe sistematike për fshehjen e krimeve të kryera ndaj popullatës civile”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit i ndanë gratë dhe fëmijët nga meshkujt, dhe mbi 300 civilë shqiptarë u dërguan në burgje e objekte të improvizuara.

“U mbajtën në kushte çnjerëzore dhe degraduese, pa kushte elementare për jetesë, siç janë ushqimi i rregullt, higjiena bazike dhe kujdesi shëndetësor”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë Speciale. “U dërguan në burgjet në Kosovë, e më pas u transferuan në burgje në territorin e Serbisë, ku u mbajtën deri pas përfundimit të luftës, kur edhe u liruan me ndërmjetësimin dhe ndihmën e organizatave ndërkombëtare”.

also State Department on Vučić's statement on the Ibar River: Kosovo-Serbia normalization is necessary Arberi State Department on Vučić's statement on the Ibar River: Kosovo-Serbia normalization is necessary

Në dokument thuhet se i plaçkitën gratë, duke ua marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas i dëbuan.

“I nxorën me forcë në oborret e shtëpive, ashtu që fillimisht i ndanë  gratë dhe fëmijët nga meshkujt, me ç’rast gratë i plaçkiten duke ua marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet me vlerë, ndërsa meshkujt i detyruan t’i nënshtroheshin verifikimit të identitetit e më pas disa prej tyre i ekzekutuan në shtëpitë dhe oborret e tyre, kurse disa të tjerë u arrestuan dhe burgosen kurse gratë dhe fëmijët nën kërcënimin e armëve, u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në drejtim te lokacionit të njohur si ‘Ura e Taliqit’, dhe prej aty u detyruan të bashkoheshin me kolonat e refugjatëve që largoheshin në drejtim të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit serbë, për të fshehur gjurmët e krimeve e me qëllim të spastrimit etnik të territorit, në qytetin e Gjakovës gjatë muajit maj 1999 u vunë zjarrin shtëpive të disa familjeve, duka u shkaktuar edhe dëme materiale në mënyrë të qëllimshme.