Me 90 vota për, Kuvendi ka formuar komision hetimor parlamentar që do të hetojë rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nga i dyshuari, ish-kunati i saj. Formimit të komisionit i paraprin kërkesat për llogaridhënie e diskutimet për punën e institucioneve që do të hetohen
Shallet ngjyrë rozë, të vendosura pranë secilës ulëse, i pritën deputetët në seancën e fundit të tetorit, muajit Ndërkombëtar të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.
Takimi që nisi me mesazhin për diagnostikim të hershëm të kancerit që merr jetën e shumë grave, u përmbyll me formimin e një komisioni hetimor për Arlinda Zekajn, e që jetën dyshohet se ia mori ish-kunati i saj.
Deputetë të partisë në pushtet dhe ata opozitarë kërkuan veprime, përgjegjësi e llogaridhënie.
“Nuk mjafton masa disiplinore. Duhet hetim penal sa më parë. Asnjë minutë më shumë. E mbështesim protestën. Revolta qytetare e atyre që protestojnë aktivisht dhe në heshtje është e drejtë e domosdoshme dhe udhërrëfyese”, ka thënë Artan Abrashi, deputet i LVV-së.
E, veprime urgjente ka kërkuar deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
“Është fakt që nuk mund ta ndryshojmë më të kaluarën e Arlindës, por mund dhe duhet ta ndryshojmë se si shteti reagon kur një grua është në rrezik. Na duhet reformë konkrete, jo narrativë patetike”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, ligjvënësja e LDK-së, Janinë Ymeri, ka kërkuar që rastet si ai i Arlinda Zekajt, ta unifikojnë spektrin politik në luftën kundër dhunës në familje.
“Kjo çështje duhet me na bëjë të gjithëve bashkë, që asnjë komunë në të gjitha partitë mos me pas buxhetin e vet komunal pa e pasur edhe kodin buxhetor për gratë, varësisht prej rasteve që i kanë pas ose me një formulë tjetër”, ka thënë ajo.
Gjatë propozimit për formimin e komisionit hetimor, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha se ai, përveç rastit të Zekajt, do të merret edhe me një çështje tjetër.
“Kërkojmë që Kuvendi të hetojë përmbushjen e detyrimeve institucionale për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së Arlinda Zekaj, si dhe zbatimin e legjislacionit për parandalimin, mbrojtjen dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje”, ka thënë Nagavci.
Por, mospërfshirja e institucioneve qeveritare në listën e atyre që do të hetojë komisioni, nxiti reagimin e PDK-së.
“Është e çuditshme qysh Kuvendi dëshiron të shikojë punën e KPK-së, KGJK-së, mirëpo në anë tjetër nuk merret fare me qeverinë e vet, kështu që mendoj që duhet me ditë qytetarët që ka ministre të Drejtësisë, ka koordinatore në këtë rol, po ashtu ka strategji”, ka thënë deputeti Uran Ismaili.
Pos deputetëve të pushtetit, përgjigje për këtë çështje pati edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Nuk dua të ketë dilemë as edhe një deputet rreth jo vetëm gatishmërisë... që do të jem plotësisht së bashku me institucionin që drejtoj në disponimin tuaj për të dhënë përgjigjet e kërkuar dhe për të ndihmuar në zbardhjen e të gjitha faktet që i posedojmë”, ka thënë ajo.
Diskutimet që synoheshin të bëheshin për këtë çështje, i ndërpreu kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Andaj vetëm emrat, asnjë diskutim tjetër...”, ka kërkuar ajo nga partitë, kur ka ardhur koha e propozimit të anëtarëve në Komision.
Por kur diskutimin ia ndërpreu bashkëpartiakes së saj, Nagavcit i ngeli hatri.
“Më lejo shkurtimisht të përmend vetëm një nen nga ligji”, ka kërkuar ajo.
“Unë thashë vetëm emra, asnjë diskutim tjetër. Ju lutem vetëm emrat znj. Nagavci, asnjë diskutim tjetër”, është kundërpërgjigjur Haxhiu.
Komisioni hetimor mori mbështetjen e të gjithë deputetëve prezentë – gjithsej 90, derisa ai do të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare.