Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

Former Minister Haraqija among 6 arrested in anti-drug operation

Cocaine

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, është arrestuar në aksionin antidrogë të Policisë, të zhvilluar të shtunën në kuadër të operacionit “Heshtja”. Avokati i tij, Korab Bokshi, ka konfirmuar se klientit të tij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Bashkë me ministrin policia ka arrestuar edhe 5 persona të tjerë dhe ka sekuestrohen kokainë, vetura luksoze dhe para të gatshme

Gjashtë persona janë arrestuar të shtunën mbrëma në operacionin për narkotikë të koduar “Heshtja”, e në mesin e tyre është edhe ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija.

Avokati i tij, Korab Bokshi, e ka konfirmuar lajmin të dielën, duke bërë të ditur se pas intervistimit nga Policia, ish-ministri Haraqija i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për veprën penale që lidhet me narkotikët.

Bokshi ka thënë se klientit të tij i është bastisur edhe banesa, ku janë sekuestruar disa sende.

“Mbrëmë (e shtunë v.j.) është arrestuar dhe i është bastisur banesa pas mesnatës. Prokurori ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër. I janë sekuestruar telefona dhe disa mjete monetare të cilat janë kursime të fëmijëve të tij”, ka thënë Bokshi.

Bokshi ka bërë të ditur se, nga komunikimet me klientin e tij, Haraqija i ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me rastin dhe se nuk i njeh as personat e tjerë të arrestuar në kuadër të këtij operacioni.

Avokati ka thënë se ka paraqitur ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake, duke kundërshtuar masën e ndalimit.

Operacioni “Heshtja” është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi të gjatë. 

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Është sekuestruar 1.6 kg kokainë dhe sasi të substancave të tjera të dyshuara narkotike.

“Sipas vlerësimeve të bazuara në çmimin e shitjes së kokainës në tregun e rrugës, sasia e përgjithshme e kokainës së sekuestruar vlerësohet të ketë një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh. Ndërsa, vlera e përgjithshme e vlerësuar e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara, përfshirë veturat luksoze, orët, stolitë dhe paratë e gatshme, sipas raportit të rastit, arrin në rreth 301 mijë euro. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Polcisë.

Astrit Haraqija ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, gjatë periudhës 2004–2007, në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Atëkohë ishte pjesë e LDK-së.

Gjithashtu, në vitin 2012 ka qenë zëvendësministër i Financave në Qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi.