Kampioni olimpik, braziliani Lucas Pinheiro Braathen, është bërë skitari i parë që e fiton dy herë rresht garën e sllallomit në Kupën e Botës në skijim alpin në Levi të Finlandës.
Ai të dielën e pati kohën më të shpejtë dhe përfundoi para Clement Noel të Francës dhe Loic Meillardit të Zvicrës.
Pinheiro Braathen e fitoi edhe garën hapëse në Solden të Austrisë, në sllallom të madh.
Skitari brazilian të dielën ishte më i shpejtë se Noeli për 56 të qindtat e sekondës.
“Vetëm po mundohem ta bëj veten garuesin më të madh dhe të fokusohem në detyrën që e kam para, në gjërat për të cilat punoj në stërvitje. Këtë e bëj dhe po kënaqem shumë duke skijuar. Dhe kështu u ndjeva edhe sot, me shumë kënaqësi”, ka thënë Pinheiro Braathen.
Ishte triumfi i dytë rresht në Levi për Pinheiro Braathenin. Bëhet i vetmi skitar që e mbron titullin në shtegun në Finlandë.
Fitorja në nëntor të vitit 2025 në Finlandë, ishte e para e Brazilit në Kupë të Botës në skijim alpin.
Pinheiro Braathen udhëheqë renditjen e Kupës së Botës me maksimumin e 200 pikëve, 60 më shumë se Meillardi.